Politike

Grida Duma: Pse fitojmë zgjedhjet dhe si do t’i bindim të pavendosurit

Partia Demokratike nuk e sheh problemin e zbatimit të programit të saj tek paratë, nëse ajo fiton zgjedhjet e 25 Prillit.

Në një intervistë për gazeta “Si” (https://gazetasi.al/)   ish-deputetja e PD-së, Grida Duma thotë se paratë janë aty. “Ajo që do bëjmë ne është t’i përdorim si duhet”, nënvizon Duma.

Ajo flet konkretisht për fushatën në Kavajë dhe Rrogozhinë aty ku është mandatuar si drejtuese politike nga PD-ja për zgjedhjet e afërme, fushatën në përgjithësi të Tiranës, si dhe jep këndvështrimin e saj se si PD-ja do të bindë elektoratin gri apo e thënë ndryshe atë të pavendosurin për të votuar opozitën... 

Znj. Duma pak ditë më parë ju ishit pjesë e shpalosjes së programit të PD-së për Mirëqenie Sociale, ku Basha propozoi rritjen e pensioneve me 5%, dyfishimin e ndihmës ekonomike si dhe subvencionim të plotë të interesave për kredi për shtëpi për 20 000 familje dhe çifte të reja... Ku do t’i gjejë konkretisht PD-ja paratë?  (Sepse deri me tash po krahasoni fondet që duhen për premtimet sa më sipër, me km e rrugëve që janë në ndërtim e sipër...)

Rama sot ka vetëm një tezë: Ata nuk e bëjnë dot se Shqipëria është e varfër.

Shqipëria ku i gjeti paratë kur dha trefishin për Check Up, për farmaceutikë, për kilometra rrugësh që kushtojnë 20 milion euro një km.

Jua them qartë dhe pastër paratë janë që sot. Ajo që do bëjmë ne është t’i përdorim si duhet.  

Plani ynë angazhon 500 mln euro, ndërkohë dëmi që kanë shkaktuar këta në qeverisje sipas KLSH është 1.7 miliard lekë në një vit. Mjafton ky fakt për të kuptuar që paratë janë.

Plani ynë nuk është as optimist madje është vetëm realist, e vetmja gjë që kemi bërë është parimi, të gjitha paratë tek njerëzit drejtpërdrejtë.

Prioritet është rritja e ekonomisë nëpërmjet konsumit. Me rrogat që do rrisim në mjekë infermierë, mësues, më ndihmën ekonomike që do të dyfishojmë, me pensionet rritje 5 %, do të krijojmë tregun e konsumit, kjo i jep rritje biznesit shqiptar, dhe ne taksojmë me 9% një biznes që xhiron më shumë para.

Për këtë arsye taksa jonë 9 % do të jetë një taksë e mjaftueshme sepse do të llogaritet mbi një qarkullim më të lartë të ekonomisë dhe konsumit.

Ju jeni caktuar si drejtuese politike për zonat Kavajë dhe Rrogozhinë, dy zona ku PD-ja në zgjedhjet e 2017 ka pasur humbje votash në krahasim me zgjedhjet e mëparshme, por edhe me PS. Nëse do t’i referohemi rezultatit të zgjedhjeve të 2017, mund të themi se të dyja këto zona janë komplekse me vota të shpërndara edhe tek LSI (konkretisht Kavajë) dhe PDIU (konkretisht në Rrogozhinë). Çfarë premton PD-ja ndryshe për këto dy zona me qëllim rikuperimin e rezultatit? Si po e administroni fushatën me LSI, duke qenë se zgjedhjet e fundit ajo ishte ndikuese për PD-në në Kavajë? Po me PDIU-në a po ndiqni ndonjë strategji bashkëpunimi nisur nga votat që ajo prodhoi për Rrogozhinën në 2017 (edhe pse PDIU në zona të caktuara, përfshi edhe Rrogozhinën, ka fituar më së shumti prej individëve)?

Ju kujtoj që Bashkia Kavajë është fituar nga Partia Demokratike me një super rezultat në 2017, më pas rezultati i zgjedhjeve lokale të fundit as mund të merret në konsideratë.

Sa i përket Rrogozhinës është një ndër zonat më të varfra të rajonit, mbijeton nga bujqësia; dhe nëse ka një sektor dështues këto tetë vite të rrënuar dhe të përmbytur është bujqësia.

Kam takuar këto ditë shumë e shumë biznese të vogla dhe fermerë të zonave, që janë të dëshpëruar nga rrënimi ekonomik.

Janë të dëshpëruar për zgjidhje emergjente të drejtpërdrejta ekonomike, e presin planin tonë me padurimin e kohës që s’kanë luksin ta humbin më. Turizmi do të përfitojë nga taksa jonë 9%, por mbi të gjitha nga fakti që pushteti vendor nuk do të ketë më mundësi t’i taksojë më shumë se 5% e xhiros.

Një pyetje më e përgjithshme... Sa deputetë synon të marrë PD-ja në qarkun e Tiranës, nisur nga rezultatet e mëhershme dhe këtu nënkuptoj jo vetëm rezultatin e 2017-ës por edhe 2013-ës?

Nisur nga rezultati katastrofik i punës së qeverisë rezultati do të jetë spektakolar për Partinë Demokratike.

Në sondazhet e fundit vihet re një rritje e përqindjes së elektoratit të pavendosur, kryesish në Tiranë... Si mund t’i bindë PD-ja që të votojnë për këtë të fundit?

Po deri pak kohë më parë rezultonte një rritje e asaj që e quajmë zona gri, votuesi i pavendosur. Kjo zonë vjen duke u ngushtuar gjithnjë e më shumë ndërsa  i afrohemi ditës së zgjedhjeve.

Mbani parasysh që kur rritet zona gri ajo që ka lëvizur nuk është opozita, por pëlqyeshmëria ose jo e pushtetit, pozitës.

Zona gri rritet duke dëmtuar gjithmonë ata që janë në pushtet, sepse është ajo pjesë e popullsisë që refuzon të kritikojë haptazi për arsye nga më të ndryshmet, sepse rrezikon diçka nga pushteti. Pra, rritja e grisë është favor i opozitës apriori.

Nga ana tjetër zona gri gjendet në moshat e reja të cilat janë më pak të politizuara si tendencë e normale kjo. Këtu oferta jonë është arsyeja më e rëndësishme pse duhet të mbështesin PD të rinjtë, shumica e familjeve shqiptare duan mbështetje të plotë për jetën studentore të fëmijëve.

Ata që sot kanë të ardhura nën 640 mijë të vjetra në muaj do të subvencionohen për studimet. Ndërkohë që 20 mijë çifte të reja do të përfitojnë pagesën e interesit së kredisë për një shtëpi të tyren. Pa diskutim që ndihma prej 30 mijë lekë të vjetra në muaj për të porsalindurit është një ndihmë konkrete për çiftet e reja. Kjo prek së pari besueshmërinë dhe nevojat e zonës më të pavendosur të shoqërisë, fashës së re moshore.

Intervistoi: Nevila Perndoj


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë