Analize

Greqia nxjerr në gjyq Agimin e Artë, nazistët rriten në sondazhe

Aleksandër Marku-Viti 2013 ishte jo vetëm një nga vitet më të vështira për grekët në kalvarin e gjatë tetëvjeçar të krizës ekonomike, por edhe viti që tregoi se e djathta ekstreme e përfaqësuar nga neonazistët e Agimit të Artë nuk erdhi në skenën politike për të qenë e përkohshme, por për tu fuqizuar dhe për të treguar fytyrën e vërtetë të saj.

Në 18 shtator mbushen pesë vjet nga vrasja brutale e këngëtarit antifashist grek Pavlos Fyssas. Ashtu siç pritej, retorika e urrejtjes dhe aktet e dhunës nga ana e partisë neonaziste, sollën vrasjen e parë me motive politike në Greqi. 34 vjeçari Fyssas, i njohur për veprimtarinë e tij antifashiste nëpërmjet teksteve të këngëve të tij, është qëlluar për vdekje me thikë në lagjen Keratsini të Pireut në Athinë, nga  neonazisti grek Georgios Roupakias.


Pavlos Fyssas

Në parlament zëdhënësi i Agimit të Artë mohoi  çdo lidhje me këtë vrasje që shkaktoi valë protestash në gjithë Greqinë dhe u bë shkak për arrestime të pothuajse gjithë grupit parlamentar të kësaj partie si dhe për fillimin e një hetimi të madh, që çoi më pas në një proces gjyqësor në 20 prill të vitit 2015.

Mbi 68 persona, anëtarë të lartë dhe mbështetës të Agimit të Artë, u akuzuan për pjesmarrje në këtë organizatë kriminale dhe pamjet e liderëve të saj me pranga në duar, duke hedhur edhe në momentet kur dërgoheshin në prokurori britma urrejtjeje, dhanë një shpresë se Greqia po i jepte një grusht të fuqishëm, kësaj murtaje që gradualisht po përhapej në vend dhe kishte arritur të bëhej forca e tretë politike dhe për më tepër, të mbillte farën e urrejtjes dhe të përçarjes në popull.

Gjyqi që nuk mbaron kurrë

Në 20 prill të vitit 2014 nën fokusin e qindëra kamerave dhe pranisë së gazetarëve të mediave vendase dhe të huaja, hapet seanca e parë gjyqësore e të ashtuquajturit “gjyqi i shekullit”. Por prej ditës së parë u duk se ky proces nuk do të ishte aspak ashtu siç dukej. Shtyrje të njëpasnjëshme të seancave, mungesa avokatësh dhe dëshmitarësh, tregojnë se drejtësia greke po haste vështirësi.

ĉʇ "בՓǓ UÇӦquot; (PHASMA/M.KARAGIANNIS)

Lideri i Agimit të Artë Nikos Mihaloliakos dhe dhjetëra anëtarë të lartë të partisë, midis tyre shumë deputetë të kësaj force në parlament, pas bankëssë të akuzuarve nuk pranojnë akuzat dhe deklarojnë se gjyqi ndaj tyre është një gjyq politik, një “gjueti shtrigash”. Nëse do të vërtetohen akuzat ndaj tyre, për krijimin dhe pjesëmarrjen në një organizatë kriminale dhe dhjetëra sulme ndaj emigrantëve të huaj, të pandehurit do të përballen me dënimin e heqjes së lirisë deri në 20 vjet.

Dosja e akuzave shkon në më shumë se 700 faqe, numri i dëshmitarëve është nga 130 deri në 200 vetë, ndërsa edhe avokatët mbrojtës janë më shumë se 100. Por kemi hyrë në vitin e katërt ,janë kryer mbi 253 seanca dhe gjyqi ende vazhdon, duke pretenduar të jetë i pari që shënon kohëzgjatjen më të madhe në histori, pasi ende nuk duket dritë në tunel. Për më tepër, ajo frikë që kishin shprehur analistët se ndoshta gjyqi mund të forcojë pozitat e neonazistëve, pasi anëtarët e Agimit të Artë mund të shihen si «martirë politikë» nga votuesit e pakënaqur, u pa se ishte më se e vërtetë.

Drejtësia e “vuajtur” greke

Pavarësisht nga përpjekjet e gjyqtarëve edhe procesi gjyqësor është ende në fazën e vështirë, por të nevojshme të leximit të mijëra dokumenteve dhe dëshmive të shumta si video, fotografi, arkiva nga disqet kompjuterike që kompozojnë edhe dosjen kolosale për veprimtarinë kriminale të bërthamës kryesore dhe më të fuqishme të Agimit të Artë.

Seancat gjyqësore, shumë prej të cilave shoqërohen nga tensione dhe incidente, vazhdojnë ose në një sallë të ndërtuar posaçërisht në burgun e grave të Koridallosë, ose në Gjykatën e Apelit të Athinës dhe dëshpërimisht vlerësohet nga shumë prej këtyre faktorëve, se përfundimi i tij do të jetë në fund të viti 2020 ose edhe më vonë, ndoshta në vitin 2021!

Por pavarësisht patogjenive të sistemit gjyqësor grek, përpjekja e Drejtësisë në vend cilësohet nga të parat në Europën pas luftës për të dërguar, në bankën e të akuzuarve sidomos politikanë të lartë, me akuza për krime të natyrës naziste. Nga ana tjetër pamundësia për të gjetur një sallë gjyqi në mënyrë që seancat të vazhdojnë çdo ditë, numri i madh i të pandehurve dhe i avokatëve mbrojtës, pjesëmarrja e gjykatësve, përveç kryetarit të gjyqit edhe në procese të tjera gjyqësore, e kanë çuar gjykimin e çështjes në nivelet e sotme me parashikime jo fort pozitive për një shtet ligjor europian.

Deponimi i dëshmitarëve

Bazuar në të dhënat aktuale, pas përfundimit të leximit të dëshmive  dhe prezantimit të gjithë materialeve voluminoze të dosjes penale, pritet të fillojë deponimi i gati 200 dëshmitarëve dhe në vazhdim të hapet cikli i dëshmive të të akuzuarve. Dhe kjo vetëm në se përfundimisht paraqiten  në gjykatë dhe deponojnë liderët politikë të kësaj partie, që kanë deklaruar se nuk do të shkojnë në bankën e të akuzuarve. Sipas procedurës priten pas kësaj, fjalimet e prokurorëve, të cilët do ti referohen gjithë materialit gjyqësor në një gjyq që duket se do të vazhdojë në rastin më të mirë edhe të paktën dy vjet të tjerë, për tu ardhur radha më pas avokatëve mbrojtës dhe në fund për të pasur vendimin e trupës gjyqësore.

Nëna e Pavlos Fyssas

Por ato që kanë shkaktuar më shumë dëshpërim tek një pjesë e madhe e grekëve që shohin se influenca e neonazistëve në vend, jo vetëm që rritet, por bëhet edhe më e egër, janë disa skena brenda gjyqit që janë edhe më të dhimbshme dhe çnjerëzore se vetë akti i vrasjes së Pavllos Fysssas. Nëna e tij, Magda Fyssas është bërë shumë herë objekt ironie dhe talljeje deri në një cinizëm vulgar nga përkrahësit e Agimit të Artë. Madje njëri prej tyre në një prej seancave iu drejtua duke i thënë : “Ku është tani Pavllo yt”? Pavarësisht reagimit qytetar, gjykata e dënoi këtë person vetëm me shtatë muaj burg. Edhe nëntorin e kaluar, një avokate e familjes Fyssas u sulmua ndërkohë që shkonte në sallën e gjyqit, kur disa të panjohur e qëlluan bashkë me një kolegen e saj duke i thyer hundën.

Agimi i Artë erdhi dhe nuk duket se ikën më

Ishte prilli i vitit 2012 kur për herë të parë disa ditë para zgjedhjeve parlamentare të atij viti, thuajse të gjitha partitë kryesore në politikën greke u bashkuan të paktën për një qëllim- Të luftonin atë që konsideronin si njollë turpi për vendin, partinë e Agimit të Artë.

E ashtuaquajtura në greqisht “Hrisi Avgji” është një organizatë politike e ekstremit të djathtë, që vetëdeklarohet si lidhje nacionaliste me identitet popullor. Por pas parrullave “Greqia u përket grekëve” dhe “Jashtë të huajt nga Greqia” me të cilat përpiqej dhe përpiqet të mbledhë rreth saj të papunë dhe të dëshpëruar, fshihet në fakt imazhi i një organizate raciste, me ideologji neonaziste dhe fashiste, që urren demokracinë, adhuron Hitlerin dhe ka vizion Rajhun e 4-t në Europë.

E lindur si organizatë para më shumë se tre dekadash, u zhndërrua në  parti politike. Në mënyrë kuptimplotë shpalli kandidatët e saj në ditën e përvjetorit të juntës ushatarake në Greqi, për të cilën ka nostalgji ende edhe sot. Politika greke e dënon, e konsideron organizatë terroriste, kriminale e neonaziste, por nuk e nxjerr të jashtëligjshme, ashtu si ka bërë Europa me grupe të ngjashme. Për më tepër në Greqi, Hrisi Avgji kandidoi dhe kandidon jo vetëm në zgjedhjet parlamentare të vendit, por edhe tek ato për Parlamentin Europian, ku ka edhe eurodeputetin e saj.

Fuqizimi i saj gjen bazë tek dy propozimet kryesore të programit të saj për kombin, racën dhe popullin - shfarosjen e emigrantëve ilegale dhe kundërshtimin e ndihmës nga të huajt, duke trumbetuar rikthimin e krenarisë kombëtare.

Kulmi i retorikës së deputetëve të saj ishte padyshim në qershorin e kaluar kur deputeti neonazist Konstandinos Barbarusis ka bërë thirrje në parlament për grusht shteti, duke kërkuar që ushtria të arrestojë Presidentin e Republikës së Greqisë dhe kryeministrin grek.

Thirrja e tij është bërë gjatë një fjalimi në ditën e dytë të diskutimeve për mocionin e mosbesimit që ka dorëzuar kreu i opozitës konservatore Kyriakos Mitsotakis ndaj qeverisë Tsipras në lidhje me marrëveshjen që ajo ka arritur me Shkupin për emrin e IRJM.

Deputeti neonazist është përjashtuar nga grupi parlamentar i Agimit të Artë, në një lëvizje që ka bërë kreu i kësaj force politike për të shmangur akuzat se thirrja e Barbarousit për grusht shteti është mbështetur nga kjo parti politike.

Agimi i Artë prej hyrjes së tij në parlamentin grek vazhdon në gjashtë vitet e fundit të konsdolidohet si forca e tretë politike në vend. Sondazhi i disa ditëve më parë tregon se ai ruan pozicionin e tij pas partisë qeveritare Syriza që ndodhet në vendin e dytë, duke përqëndruar 8.7% të votave të grekëve. Dhe ajo që krijon dëshpërimin më të madh të forcave progresive në vend, është fakti se edhe mesazhet nga Europa, përsa i përket rritjes të së djathtës ekstreme, nuk janë aspak pozitive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë