Lajme

“Bularati”, Idrizi: Varrezat greke qëllimisht vend konfliktesh

Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, ka reaguar sërish ditën e sotme për vrasjen e ekstremistit grek një ditë më parë në Bularat. Në një deklaratë për mediat, Idrizi u shpreh se për shumë arsye, por dhe që të parandaloheshin ngjarje të tilla, PDIU e ka kundërshtuar ngritjen e Varrezave të Ushtarëve Grekë që erdhën si pushtues në territorin e Shqipërisë.

“Ngritja e këtyre varrezave dhe dhënia e Statusit të Varrezave Historike dhe shndërrimi i tyre në vend Pelegrinazhi çdo vit, kanë gjallëruar qarqet ekstremiste Greke të Vorio Epirit si në rastin e djeshëm, por dhe të patriotëve shqiptarë, të cilëve u hiqet e drejta e protestës dhe ndalohen nga policia”, u shpreh Idrizi.

“Festa e Greqisë mund të festohet në Greqi e jo me ekstremistë të importuar në varre imagjinare ushtarësh pushtues grekë dhe që lëvizin të lirë duke rrezikuar integritetin tonë”, vijoi më tej kreu i PDIU-së.

Referuar 35-vjeçarit të vrarë nga RENEA, Idrizi u shpreh se “ky është rasti për të  ngritur alarmin për institucionet e sigurisë kombëtare se si është e mundur që persona të tillë që në profilet e tyre e tregojnë hapur që janë ushtarë të Vorio – Epirit nuk ndalohen”.

Më tej, Idrizi u shpreh se kishte dy pyetje publike për Ministrinë e Brendshme dhe SHISH.

“1. A janë ndaluar në datën 25 Tetor nga policia e Shtetit, në pikën kufitare të Kakavijës, anëtarët e bandës së Vorio-Epirit, shtetasit grekë, Mondis Kokalias dhe Theodhoros Asvestopulos për 4 orë?

2. A janë liruar më pas këta shtetas me ndërhyrjen e Konsullit Grekë të Gjirokastrës?”, tha ndër të tjera Idrizi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë