Ngjarje

Grekët mbyllin varrezat në Dragot, përkujtimore çdo 28 tetor

Mentor Kasa - Ngritja e varrezave të kontestuara të ushtarëve grekë të rënë në luftën italo-greke në zonën Tepelenës përfundoi. Në Dragot u mbajt ditën e premte një ceremoni fetare për nder të viktimave.

Puna për gjetjen, identifikimin dhe më pas varrosjen e eshtrave, që Athina pretendon se janë ushtarë grekë të rënë gjatë ofensivës ndaj forcave italiane në vitet 1940-1941 nisi në janar të këtij viti, si pjesë e marrëveshjes mes ministrit grek të Jashtëm, Nikos Kotzias dhe atij shqiptar, Ditmir Bushati.

Pala grekë thotë se në përfundim janë gjetur e identifikuar 573 ushtarë që kanë rënë në zonën e Dragotit, që u shtohen 100 të tjerëve që u varrosën në varrezat ushtarake të Bularatit në muajin korrik.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar, komisioni i përbashkët i kërkimeve do të vazhdojë punën në zonën e Kosinës në Këlcyrë dhe në zonën përreth qytetit të Përmetit.

Pikërisht në Kosinë është ngritur një varrezë, që sipas historianit Pëllumb Xhufi është realizuar pa marrëveshje mes dy vendeve. Ai thotë se ato janë ngritur që në vitin 2004, ndërsa marrëveshjet mes dy vendeve për këtë temë janë nënshkruar në 2006 dhe 2008.

Historiani Pellumb Xhufi

Xhufi akuzon të dyja kahet e politikës shqiptare se pas viteve ’90 kanë lejuar që pala grek të avancojë në mënyrë të turpshme çështjen e varrezave, duke ngritur të tilla edhe në zonat ku nuk ka asnjë provë e fakt që të vërtetojë se ka patur një betejë italo-greke.

Hapja e varrezave të ushtarëve grekë në Grykën e Kosinës, jo vetëm që u bë pa asnjë marrëveshje mes dy vendeve dhe pa lejen e palës shqiptare, por edhe pa një punë të mirëfilltë shkencore për gjetjen e eshtrave që pala greke pretendon se janë ushtarë të rënë në Luftën e Dytë Botërore.

Mbushja e varreve të hapura pasoi një skandal të vërtetë. Në 2007, disa punëtorë, një prift dhe një përkthyes nisën zhvarrojsen e eshtrave të 69 trupave në një zonë ku të gjitha dëshmitë e banorëve vendas dhe të historianëve provonin se ishin varreza qindravjeçarje dhe jo trupa të ushtarëve grekë të rënë në Luftën e Dytë Botërore.

Por, puna vazhdoi nën hundën edhe të autoriteteve shqiptare. Pavarësisht se zhvarrosja, aq më tepër për një çështje kaq të ndjeshme, duhet të kryhet nga një grup ekspertësh, që të ketë në përbërje antropologë, historianë dhe specialistë të fushave të tjera, për Prokurorinë e Përmetit në atë kohë “nuk pati asnjë shkelje”.

“Gjatë hetimeve rezultoi se mungon ana subjektive e kësaj vepre penale, duke marrë për bazë se qëllimi kryesor i zhvarrimit ka qenë jo “dhunimi i varreve”, por nxjerrja e eshtrave të ushtarëve grekë të rënë në këtë territor gjatë luftës italo-greke, në vitet 1940-1941”, thuhet në vendimin e atëhershëm të Prokurorisë së Përmetit.

Me këtë arsyetim, dy të akuzuarit, përkthyesi Alqiviadh Kosta dhe prifti i fshatit, Vasil Themollari u liruan nga akuza për “dhunim të varreve”. Megjithatë, nëse për prokurorinë shqiptare nuk pati asnjë shkelje, shkelje etike, morale dhe joshkencore gjeti antropologu grek, Kosta Eliopoulos.

"Eshtrat e ushtarëve identifikohen lehtësisht, pasi kanë shenja në kocka, ndërsa ushtarët që kanë vdekur nga sëmundje, apo për shkaqe natyrore kanë shenja dalluese të tjera, si medalojnet, apo të tjera. Askush nuk ka të drejtë, të zhvarrosë eshtra, qoftë edhe civile pa marrë më parë miratimin nga institucionet e specializuara”, deklaronte ai në atë kohë për ATSH.

Grekët pretendojnë në Grykën e Këlcyrës është zhvilluar njëra prej betejave më të ashpra me palën italiane. Por, historianët shqiptarë dhe banorët e zonës deklarojnë të kundërtën. Sipas tyre, lufta është bërë në Kodrën e Qarishtes dhe në Vargmalin e Deshnicës, 20 kilometra larg fshatit Kosinë.

Ndërkohë që puna do të vazhdojë në Kosinë, në varrezat e përfunduara në zonën e Dragotit më 28 tetor do të zhvillohet një ceremoni zyrtare përkujtimore me përfaqësues shtetërorë nga Greqia dhe Shqipëria. Sipas marrëveshjes së nënshkruar, ceremoni përkujtimore do të zhvillohen çdo 28 tetor në këtë zonë nga pala greke. Athina e përshendeti disa ditë më parë punën që është bërë në Shqipëri për të gjetur eshtrat e ushtarëve greke. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë