Ne rrjet

Grenell, ndërmjetës në dialogun Kosovë-Serbi edhe pasi të jetë kryespiun i SHBA

Richard Grenell do të vazhdojë ndërmjetësojë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë edhe pasi të vihet në krye të Inteligjencës amerikane.

Pasi të konfirmohet në këtë detyrë, ku do të kordionojë punën e 17 agjencive të inteligjencës, përfshirë edhe CIA-n, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Gjermani do të jetë pjesë e Kabinetit të Presidentit Trump. Por, sipas mediave në Kosovë ai do të vazhdojë të jetë edhe i dërguari special i presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi.

Emërimi i tij në këtë detyrë ngriti jo pak shqetësime për fatin e dialogut, por presidenti amerikan duket se do të vazhdojë ta këtë Kosovën në krye të agjendës së tij.

Burime nga Uashingtoni kanë thënë për Gazetën Express se nga sot Ambasadori Grenell do të mbajë edhe postin e Shefit të Inteligjencës, por edhe atë Ndërmjetësuesit Kosovë-Serbi.

Grenell është një nga njerëzit më të besuar të presidentit amerikan Donald Trump. Ashtu si presidenti edhe ai ka qenë këmbëngulës për arritjen sa më parë të një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Ai ka kërkuar në mënyrë të prerë që Kryeministri Albin Kurti të heqë taksën ndaj produkteve serbe dhe të mos vendoset reciprociteti me Beogradin. Por kryeministri i Kosovës nuk është tërhequr deri më tani nga ideja e reciprocitetit.

Richard Grenell është ambasador i Shteteve të Bashkuara në Gjermani që nga muaji maj i vitit të kaluar. Zoti Grenell, ekspert i politikës së jashtme, është themelues i firmës “Capitol Media Partners” në vitin 2010, që ofron konsulencë për çështje të jashtme.

Grenell ka qenë mes të tjerash zëdhënës i 4 ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara në OKB për shtatë vjet, 2001-2008, duke e mbajtur këtë post më gjatë se çdokush tjetër.

Ai mban gradën Master për Administratën Publike nga universiteti i Harvardit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë