Mjedis

Grekët nuk kanë firmosur ende për të mbrojtur lumin Vjosa

Nga Gazeta Si- Shpallja e lumit Vjosa park kombëtar nga Shqipëria nuk ka marrë të njëjtën përgjigje nga grekët. Madje sipas organizatave greke të mjedisit, Vjosa mund të rrezikohet nga ndërtimi i disa  hidrocentraleve të vegjël përtej kufirit shqiptar në një gjatësi prej 70 kilometrash. Ky fakt i ka vënë në lëvizje shoqatat mjedisore tek fqinjët të cilët kërkojnë mbrojtjen ndërkufitare të lumit Vjosa por ende nuk është arritur diçka.

Besjana Guri, eksperte mjedisi në Organizatën EcoAlbania thotë për Gazetasi.al se organizata ka vite që bashkëpunon me organizatat greke si pjesë e fushatës së përbashkët “Të shpëtojmë zemrën blu të Europës”, për mbrojtjen e lumit Vjosa/Aoos dhe i sheh me vend shqetësimet në anën greke.

“Partnerët tanë në pjesën greke kanë ngritur shqetësimin në lidhje me planet për ndërtimin e rreth 45 hidrocentraleve në basenin e lumit Aoos dhe degët e tij”, thotë Guri e cila shpjegon për Gazetasi.al se ndërtimi i këtyre hidrocentraleve do të kishte ndikim të madh edhe në pjesën shqiptare të lumit (në Vjosë).

“Ndërtimi i hidrocentraleve në anën greke do ndikonte në uljen e nivelit dhe sasinë e rrjedhës lumore si dhe rrezikon zhdukjen e disa prej specieve endemike apo të rrezikuara që gjenden në lumin Vjosa dhe degët e tij”, thotë Guri.

Janë 1100 lloje speciesh, nga të cilat 13 konsiderohen të rrezikuara globalisht nga IUCN (Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës) dhe shumë ende për t'u zbuluar dhe për t'u studiuar. Midis tyre, në veçanti, peshqit dhe insektet që popullojnë jo vetëm rrugën kryesore ujore, por edhe degët e shumta që tani janë pjesë e rrjetit të mbrojtur.

Nga ana tjetër, në ‘frontin’ grek, për momentin, asgjë nuk është zyrtare.

Në një përgjigje për Gazetasi.al, Ministria e Turizmit dhe mjedisit thotë se zonja  Kumbaro është takuar me Ministrin e Mjedisit dhe Energjitikës të Greqisë Kostas Skrekas në muajin shkurt të 2023 ku është dakordësuar nisja e punës së përbashkët për krijimin e parkut ndërkufitar Aoos-Vjosa.

“Kjo iniciativë ka vijuar me ngritjen e grupit të përbashkët të punës, që është angazhuar në shkëmbimin e informacioneve teknike dhe përgatitjen e Memorandumit të Mirëkuptimit mes dy vendeve për krijimin e parkut ndërkufitar Aoos-Vjosa”, shkruhet në përgjigjen e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.

Memorandumi i mirëkuptimit akoma nuk është krijuar dhe aktualisht Vjosa mbetet e pambrojtur nga ana greke. Ekspertja Guri thotë se Vjosa/Aoos është një sistem lumor i vetëm i cili është unik në llojin e tij në gjithë Europën dhe si një sistem i vetëm lumor ai duhet të mbrohet nga të dy shtetet në të njëjtin nivel, në kategorinë më të lartë të mundshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë