Ngjarje

Gjatë sezonit veror do të pezullohen ndërtimet në bregdet, Kumbaro: Pushuesit s’mund të dëgjojnë matrapikun

Nga Gazeta 'SI' - Pushuesit në bregdetin shqiptar nuk do të shqetësohen nga zhurmat e matrapikut dhe betoniereve gjatë këtij sezoni veror.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha se bizneset në qytetet me pushues, që janë në proces ndërtimi do të ndërpresin punimet gjatë sezonit turistik, me urdhër të Bashkive përkatëse.

Në një takim me përfaqësues të biznesit në Sarandë e Himarë, Kumbaro tha se deri në qershor punimet do të reduktohen gjatë javës dhe do të ndërpriten në fundjavë, për tu ndërprerë totalisht deri në fund të sezonit.

 “Nuk mundet që ndërsa një hotel është i tëri i rezervuar me pushues, në kantierin ngjitur të dëgjohet zhurma e betioniereve, vinçave, kamionëve e matrapikëve. Prioritet do të jenë pushuesit. Gjatë fundjavave, punimet nuk do të lejohen as jashtë e as brenda ndërtesave dhe kjo do të jetë e panegociueshme. Është e domosdoshme të bashkëjetojmë me rregulla. Bashkitë do të ngarkohen me përgatitjen e urdhrave të cilat do t’i shkojnë çdo biznesi, por sidomos me zbatimin e tyre. Pezullimi i punimeve në fundjava duhet të nisë që tani, ndërsa nga muaji qershor punimet duhet të ndalen deri në fund të sezonit veror”, u shpreh ministrja Kumbaro përballë bizneseve hoteliere dhe ndërtuesve.

Gjatë takimit ministrja Kumbaro theksoi dhe rëndësinë e dimensionit estetik në hapësirat e jashtme të kantiereve të ndërtimit.

Në fund të takimit, Kumbaro rikujtoi se për shkak të flukseve të larta turistike, ky vit do të jetë ‘prova e zjarrit’ për menaxhimin e suksesshëm të sezonit veror, duke paralamëruar edhe një tur inspektimesh në bashkitë bregdetare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë