Art dhe Kulture

‘Gravity’ çel Festivalin Ndërkombëtar të Kërcimit Bashkëkohor, Angelin Preljocaj: E përfshij Shqipërinë në veprat që krijoj

Shfaqja “Gravity” me koreografi nga Angelin Preljocaj çeli Festivalin Ndërkombëtar të Kërcimit Bashkëkohor në Tiranë.

Koreografi i njohur Preljocaj është dhe drejtor artistik i festivalit. Shfaqja “Gravity” është shfaqur për herë të parë në 2018 në bienalen e kërcimit në Francë, tani Preljocaj e sjell në skenën shqiptare.

Ndonëse Preljocaj ka lindur e është rritur në Francë lidhjen e fortë me Shqipërinë vijon ta ruajë ende. Ndaj në çdo krijim të tij artistik ka grimca Shqipërie.

I gjendur këto ditë në Tiranë në kuadër të festivalit, koreografi Angelin Preljocaj ndonëse i lindur në Francë, tregoi se brenda shtëpisë jetonin si shqiptarë dhe identiteti i tij natyrshëm del edhe në krijimtari, si në dy baletet “Dasma” apo “Amer Amerika” që janë vënë në skena të ndryshme.

Preljocaj u shpreh se ai u rrit me një fanatizëm të madh për ruajtjen e gjuhës dhe traditës.

“Në shtëpinë tonë jetohej në dy botë paralele, brenda shtëpisë ishte bota shqiptare e jashtë saj ajo franceze. U rrita me një fanatizëm të madh për ruajtjen e gjuhës e traditës. Jetova brenda asaj shtëpie me prirje për t’i ekzagjeruar traditat shqiptare, ndoshta edhe më shumë se vetë shqiptarët, kështu që detyrimisht ndikoi dhe në krijimtarinë time. Në mënyrë të pandërgjegjshme e përfshija Shqipërinë në veprat që krijoja. Por sigurisht që doja që ky identitet të ndjehej kudo, ndaj i dedikova dhe dy koreografi atë të ‘Dasmës’, ku përcjell ritualet e dasmave shqiptare dhe ‘Amer Amerika’ ku tregoj realitetin zhgënjyes të emigrantëve”, tregon Prelojcaj.

Festivali Ndërkombëtar i Kërcimit Bashkëkohor është rikthyer për të dytin vit në Tiranë, ku pjesë e tij janë jo vetëm shfaqje, por dhe masterclass-e.

Vetë Preljocaj zhvilloi dhe një masterclass me trupën e baletit të TKOB.

“Maestro Angelin Preljocaj, nën asistimin e asistentes se tij Natali Naidich, ka përgatitur Trupën e Baletit të TKOB-së me pjesë nga baleti ‘Romeo dhe Zhulieta’, nëpërmjet një masterclass-i, ku adaptoi tekniken e lëvizjeve dhe energjinë që duhet të përdorin për të ekzekutuar teknikat e ndryshme koreografike”, shkruan TKOB.

Ndërkohë, shfaqja “Gravity”, e interpretuar nga trupa e baletit të Preljocajt do të jetë në skenë edhe këtë mbrëmje.

Sipas koreografit, ashtu si dhe emri i kësaj shfaqje “Gravity”, e ka sjellë si një vepër që na përfshin të gjithëve.

“Por ajo që kam dashur të tregoj është se çfarë do të thotë graviteti apo rëndesa brenda nje spektakli të përcjellë përmes lëvizjeve të kërcimit”, tha Preljocaj.

Festivali Ndërkombëtar i Kërcimit Bashkëkohor i realizuar nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit në bashkëpunim me Qendrën për Kulturë dhe Art Bashkëkohor “Harabel” dhe D18 Paris do të shfaqë shfaqje nga kompani të njohura kërcimi nga e gjithë bota.

Përgjatë këtyre ditëve, Ballet Preljocaj, La Veronal & Marcus Morau, Blenard Azizaj dhe Fondazione Nazionale de la danza/Aterballetto sjellin artin dhe eksperiencën e tyre në Tiranë.

Pjesë e festivalit do të jenë edhe ekspozitat dhe një punëtori e dedikuar për fëmijë. Një seri ekspozitash do të prezantohen nëpër galeri të ndryshme në Tiranë, duke shfaqur veprat e artistëve të talentuar pamorë shqiptarë me prejardhje të ndryshme, që përfshijnë vizatime, piktura dhe instalacione.

Festivali do të zhvillohet deri më 22 tetor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë