Libra

Gratë që ruajtën gjuhën

Tablo e piktorit Simon Rrota

Në fund të fundit, çfarë mund të prisje nga një grua që nuk dinte shkrim e lexim, nga një grua që mund të lexonte vetëm librin e imagjinatës së saj, edhe albumin e ëndrrave dhe të dëshirave, që ne të jetonim lumturinë dhe bukuritë që ajo i kishte ëndërruar.

Pra, nuk mund të prisje asgjë tjetër nga një nënë si imja, e cila nga vetë libri i jetës kishte mësuar urtësinë se duke u kënduar ninulla dhe, duke i vënë në gjumë ëndrrat dhe dëshirat e lumturisë sate, më lehtë mund të jetosh me ato që të sjell jeta.

Kështu e  përshkruan nënën e tij shkrimtari Kim Mehmeti, në romanin “Pusi”, ku kujtimet e ndjeshme dhe malli për shtëpinë e fëmijërisë, me oborr,  lule dhe një pus në mes zgjerohen për të përshkruar jetën e shqiptarëve të Maqedonisë.

Ishin pikërisht gratë si nëna e tij, “që u këndonin luleve me zë dhe bijve me shpirt”  e të izoluara brenda avllive të oborreve,  të cilat bënë të mundur të ruhej identiteti dhe  gjuha shqipe ndër breza. Por aty lulëzonte universi shqiptar, në një formë i izoluar, por edhe i mbrojtur brenda oborreve apo në thellësitë e puseve.

Nëna ia mësoi gjuhën e folur, shqipen që siç kujton shkrimtari e pëshpëritnin me zë të ulët në epokën e Jugosllavisë, por për të shkruar hyri ta mësojë si autodidakt, kur hidhte në fletore “Lumin e vdekur” të Jakov Xoxës. “Kam jetuar në mjedise sllave, dhe letërsinë e kam prekur përmes këtyre gjuhëve. Më dukej çudi sesi mund të shkruaje në shqip. Gjithë biblioteka e shtëpisë sime ishte e mbushur me libra në gjuhë të tjera. Shekspirin e kisha në katër përkthime të ndryshme dhe asnjë në shqip”, rrëfente vetë autori, ndërsa kujtonte frikën e të atit kur u nis për studime në Beograd.  “Mos ma ço djalin atje, se do të bëhet shka, dhe do më harrojë gjuhën”, thoshte i ati.

Romani "Pusi" i autorit Kim Mehmeti

I rritur në një vend ku gjuha e “shtëpisë” nuk mësohej në shkolla, ai e njohu letërsinë përmes gjuhëve të tjera si maqedonishtja, serbishtja, apo kroatishtja. Por forca e gjuhës së “shtëpisë”, gjuhës përmes së cilave dëgjonte historitë e treguara prej nënës së tij, ishte më e fortë dhe drejtonte ashtu së brendshmi gjuhët e tjera.

 “Ta kisha msue shqypen çi e folën ti, do shkrujsham gjitha që ti kurrë nuk da mundish t’i marrish vesht!””, i thoshte i ati, në vitet e fundit të jetës.

Kështu përmes rrëfimit intim që zgjerohej si rrathë në të gjithë shqiptarinë në skajin lindor, Kim Mehmeti u jepte grave meritën që u takonte si gardiane dhe përcjellëse të gjuhës dhe identitetit shqiptar, në romanin që e botoi më 2018-n, nën siglën e botimeve “UET PRESS” .

Dy vjet më herët, më 2016-n, një botim i titulluar  “Vashzat, detyra e gruas në bashkësitë arbëreshe që nga paslufta deri sot”,   nga  Shoqata Kulturore “Albore”, kishte si qëllim të shqyrtonte e vlerësonte punën e grave përbrenda bashkësive arbëreshe, punë kjo që shpeshherë mbeti e pa treguar ose u kallëzua në mënyrë sipërfaqësore.

Në një artikull, titulluar “Roli i gravet në ruajtjen e gjuhës”, kur bëhet fjalë për gjuhën arbëreshe të ruajtur me fanatizëm  në mëse gjashtëqind vjet, studiuesja Saverina Bavasso rrëfen sesi, ndonëse të  syrgjynosura në një rol shtëpiak,  gratë arbëreshe kanë dhe patën një rol identitar themelor.

Gra arbëreshe

Megjithëse koha donte gruan në një vend anësor në jetën shqiptare dhe arbëreshe dhe megjithëse në vendosje e nënshtruar, në fakt kurrë nuk qe kështu. ...Në shoqërinë arbëreshe gratë patën një rol themelor, njëkohësisht të fuqishme dhe të vullnetshme.

“Përgjegjësia e kalimit të gjuhës vinte eksklusivisht nga gruaja; kur ishte gruaja që fliste italishten rreziku i mungesës së kalimit të gjuhës ishte shumë i lartë. Sot rreziku

është edhe më i lartë. Nga njëra anë gjuha është lënduar nga forca e gjuhës sunduese, nga ana tjetër mungon funksioni i gjitonisë që ruante fëmijën gjatë orëve të  punës së grave dhe që ishte e mësues për fëmijën që s’kishte nënën arbëreshfolëse”, vijon më tej studiuesja, e cila thotë se pranive e disa  fjalëve  ekskluzivisht brenda gjuhës së njërës  apo tjetrës familje, mund të vendoste kështu përkatësinë  e një anëtari,  vetëm nga përdorimi i disa fjalëve.

“Në jetën shtëpiake dhe lidhur me edukimin e fëmijës duhet të mbahet para sysh funksioni i përrallave, trillimeve, parambotave dhe ninananave. Këto janë lidhur ngushtë me ndjenjat e nënës që shpreh me fjalë vet të saja dashurinë për fëmijën”, shkruan Bavasso.

Bia shi bia borë (shi, borë)

tata vata ka një horë (babi ka shkuar në një vend)

Bia shi bia lëng (bie shi supe)

tata vata Kastielfrëng (babai shkoi në Castelfranco)

Vjersha të tilla me rimë janë trashëguar gojarisht nga brezi në brez mes arbëreshëve, madje edhe atyre që prej vitesh i kanë lënë katundet në Itali e janë shpërngulur gjetkë, nëpër botë.

Çë isht i bukur ki Katund (Sa i bukur është ky vend)

Kush ka derkun bën panund (kush ka derrin bën bukën me lyrë)

Kush ka një vashiel ma vër (kush ka një shishe verë)

Bën një bukur primaver (po kalon një verë të bukur)

Kush ka gjthse (kush ka gjithçka)

Murale e grave arbëreshe në katundin arbëresh Civita ose Çifti, Kalabri.

Struktura dhe tregimi janë fiks por  fjalët dhe muzika e vargjeve marrin një fuqi komunikative e madhe. "Kjo ndodh më shumë në parambota dhe ninanana në të cilat përdoret një gjuhë e qartë, e thjeshtë që adaptohet thjeshtësisht muzikës së parambotes", thotë studiuesja.

Është nëna që zgjedh fjalët më të afta, ato më shprehëse dhe kuptueshme; është nëna që zgjedh fjali jo të vështirë, që përdor rregullisht pauza në fund të çdo vargu dhe zgjedh fjalë që duhet të jenë të ëmbla për veshin e fëmijës.

Gratë e ruajnë dhe e përcjellin gjuhën edhe në punët e krahut, në arë, mendon studiuesja. “ Gratë alternojnë punës tregime dhe këndime që u jep mundësinë atyre të lehtësojnë peshën e punës. Me qenë se puna në arë ishte pothuajse për gjithë mjet mbajtëse dhe me qenë se merrte punuesit për pothuajse gjithë vitin, bëhet si e dyta familje me të cilën mbështeteshin edhe çastet çlodhje, pushimet nga puna ishnin arsye bashkimi”.

Pikturë e Simon Rrotës

Ndër këngët e punës janë  Ajiret, kënga polifonie kënduar nga një zë kryesore të cilës bën jeh një kor me shumë zë; ndër ato edhe sot të kënduara: Ajiri kallamesë, Ajiri dhomatavet, Ajiri i ullinjvet.

“Në traditën arbëreshe gratë këndojnë disa kënga popullore por pranuar dhe njohur nga kisha, janë Kalimerat. Këto kënga ndrrojnë për çdo katund, vetëm një këngë është e njëjta për shumë katunde është ajo që tregon Vuajtjen e Krishtit”.

Një tjetër praktikë magjike të ruajtjes së kulturës arbëreshe, thotë dr. Saverina Bavasso janë Racjunat.

“Është një lloj parambote që nuk mund dhe nuk duhet të jetë thënë gjithëve. Funksioni i saj është të hiqet e keqa, ajo që e njeh lyp njerinjvet që kanë të ligat një gjë personale me përdorim ditar dhe që do të jetë mjet lidhëse midis tyre. Racjuna mund të trashëgohet vet në dy ditë të vitit: Vigjilia e Krishtlindjes dhe dita e Pashkëve”.

Gjuha dhe kultura ruhej edhe përmes vajtimeve, që shoqërojnë të vdekurin në udhëtimin e fundit. “Disa thonë që ishin vetëm vajtime, dikush tjetër thotë që ishin tregimi i karakteristikave ose të vlerat të burrit të vdekur”.

Sipas studiueses janë shumë pikëpamjet për të cilat gruaja arbëreshe është element ruajtje e kulturës dhe mbajtjen gjallë të popullit arbëresh.

Gratë çame

Edhe mes arvanitasve, shqiptarëve të Greqisë kultura dhe historia përcillej ndër breza përmes këngëve. Kështu këndonin ata:

Gjuha jonë vetëm thuhet

Nuk e lanë që të shkruhet

Bëmë këngë këshilla të urta

Që të mos harrohet gjuha

“Unë jam munduar t’i  përshtatem fatit tim, atë që më ka sjellë jeta. Dhe fati im është të jem shqiptar”, thoshte Kim Mehmeti në një prej intervistave pas botimit të librit. Iu desh të kalonte nëpër gjuhët e Ballkanit, nga maqedonishtja tek serbishtja, për të mbërritur sërish tek gjuha  e nënës, shqipja.

“ Ëndërroja të vij në Tiranë edhe sot këtu jam me disa familjarë të mi, të cilët shtronin pyetjen se pse ndjeheshin aq mirë këtu”, thoshte shkrimtari, duke iu përgjigjur kujt e pyeste. “ “A  e din  se pse? Sepse këtu është prej mëngjesit deri në mbrëmje, thuhet Përshëndetje, Mirdita, Mirupafshim, Si je…Pra flitet vetëm shqip.”/ Përgatiti: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë