Politike

Gratë e PS kolegeve të PD: Mos e përdorni Xhisielën për politikë

Nuk ka pritur deri në seancës plenare të ditës së enjtes, grupi i grave deputete të Partisë Socialiste për të  reaguar rreth ngjarjes së Xhisiela Malokut, siç u tha fillimisht, e pyetur nga gazeta “Si” deputetja Elona Gjebrea, por në një postim në faqen e saj të Facebook-ut deputetja,  ish-zv/ministre e Brendshme dhe e njohur për punën e saj në luftën kundër trafikimit të personave, në Zyrën e Koordinimit Kombëtar shkruan se  Grupi i Grave Deputete të Partisë Socialiste dënon çdo lloj forme dhune dhe “mbështet e inkurajon institucionet përkatëse në kryerjen deri në fund të te gjitha procedurave të nevojshme për nxjerrjen e përgjegjësive dhe ndëshkimin ligjor të përgjegjësit për dhunën e ushtruar mbi vajzën Xh.M.”Në vijim Gjebrea shkruan se grupi i grave deputete të PS-së ka në prioritet të punës ndër të tjera edhe luftën kundër dhunës me bazë gjinore si dhe mbrojtjen e viktimave të saj.

Deputetja e PS-së,  Elona Gjebrea 

“Ne kemi një qëndrim të palëkundur kundër çdo rasti dhe forme të dhunës ndaj grave dhe vajzave, përfshirë edhe abuzimin për qëllime politike me viktimat e dhunës.”, deklaron deputetja duke shkuar më tej se ashtu siç inkurajojnë organet kompetente për ta çuar deri në fund hetimin dhe ndëshkimin e fajtorëve për rastin, ato dënojnë sulmet, të cilat i cilësojnë të shëmtuara politike dhe mediatike ndaj Policisë së Shtetit apo kryetarit të  grupit parlamentar.

Nga protesta e Grave Deputete të Opozitës, 29 shtator. 

Ky reagim erdhi pasprotestës që gratë deputete të Opozitës organizuan paraditen e 29 shtatorit  para godinës së Kryeministrisë për të dënuar dhunën ndaj Xhisiela Malokut; 25-vjeçares, e cila ka deklaruar  në tre denoncime  se është dhunuar dhe përdhunuar në mënyrë sistematike nga djali i deputetit të PS në Fushë-Krujë.

Deputetët e opozitës akuzuan qeverinë se ka është bërë palë me krimin duke mbrojtur autorin e një krimi të shëmtuar për gjithë shoqërinë. Krahas deputeteve të partive, para Kryeministrisë në mbrojtje të Xhisielës ishin të pranishme edhe studente dhe intelektuale, të cilat bënë thirrje njëzëri për të ndëshkuar dhunuesit e femrave shqiptare. Deputete dhe anëtarë të Shoqërisë Civile, kanë bërë apel të fortë ndaj qytetarëve, që pasditen e së hënës të dalin në mbrojtje të Xhisiela Malokut.

“Duke e përshëndetur deklarimin publik të qëndrimit solidar ndaj vajzës së dëmtuar, nga ana e kolegeve tona të opozitës, u bëjmë thirrje atyre të ndikojnë në ndalimin e keqpërdorimit publik të vajzës për motive politike. Shpifjet dhe gënjeshtrat me të cilat opozita po përpiqet të ngarkojë opinionin publik, janë dhunë publike ndaj saj. E cila meriton drejtësi dhe vetëm drejtësi!”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë