Politike

Gratë e PD takojnë grevistet e Ballshit: Pagën po ua mban Edi Rama, jo kompania private

Dhurata Çupi dhe Orjola Pampuri, dy ish-deputetet e Partisë Demokratike vizituan gratë greviste të Uzinës së Ballshit ku përsëritën akuzën e opozitës ndaj Qeverisë se i ka braktisur duke i lënë pa asnjë zgjidhje për pagat e prapambetura.

Në deklaratën për shtyp të shpërndarë nga Selia Blu, ish-deputetet demokrate përcjellin fjalët e marra nga një grua greviste.

"Të mbushet xhepi i Arben Ahmetaj dhe i Erjon Braçes dhe Edi Ramës. Paga ime është kacidhe para lekëve që marrin ata. Edi Rama na premtoi se "ari i zi" do të kalojë në Uzinë dhe lekët e prapambetura punëtorët do t’i marrin. Ku është Beso Sulaj? Heshtin. Gropa e zezë nuk është Uzina, gropa e zezë është qeveria, është Edi Rama që po shkatërron gjithçka", citohet grevistja.

Për Partinë Demokratike, çështja e pazgjidhur e pagave të prapambetura është një aferë korruptive, që e ka burimin tek qeveria.

"Juve nuk jua mban pagën një biznes, por jua mban pagën qeveria dhe Edi Rama, sepse asnjë biznes nuk guxon të mbaje pagën e punëtorëve, nëse nuk ka mbështetjen e qeverisë", u shpreh Dhurata Çupi.

"Edi Rama nuk e shikon realitetin këtu, sepse ai po bën shown e rradhës. Nesër me Partinë Demokratike në pushtet do të keni mbështetjen tonë", premtoi Orjola Pampuri.

Vendimi për të hyrë në grevë i grave të Uzinës së Ballshit erdhi 18 ditë pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të grevistëve burra.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë