Lajme

Grabitja në Rinas, të arrestuarve u gjenden paratë

Kur kanë kaluar disa muaj nga grabitja e 9 prillit në aeroportin e Rinasit, mësohet se janë gjetur një pjesë e parave të grabitura.
Mësohet se paratë e sekuestruara të disa prej të arrestuarve korrespondojnë me numrin e serive që bankat e nivelit të dytë do të transportonin jashtë vendit mesditën e 9 prillit. Kjo përbën një provë të fortë që lidh të arrestuarit me supergrabitjen.
Ato janë në prerje 50 euro. Deri më tani mësohet se janë sekuestruar 300 mijë euro, nga këto 100 mijë euro në banesën e agjentit të cargos në Aeroportin “Nënë Tereza”, Hasan Kanaçi, të konvertuara në kartëmonedha të ndryshme. Kanaçi ishte agjenti që merrej me ngarkesën e vlerave monetare në aeroport dhe kishte dijeni për oraret fikse se kur vlerat monetare mbërrinin e futeshin në barkun e avionit.
Nga supergrabitja e 9 prillit në aeroportin e Rinasit u arrestuan 7 persona: Ragip Hajdini, i cilësuar si daja nga Kosova, Elton Pikli, Renaldo Sulaj, Oltion Veseli, Saimir Cela, Hasan Kanaçi dhe Alkond Bengasi. Dëshmia e këtij të fundit zbuloi grupin, i cili pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë.
Ndërsa i vrarë nga shkëmbimi i zjarrit me policinë ditën e ngjarjes mbeti organizatori i grabitjes, Admir Murataj.
Ndërkohë, në kërkim janë dy vëllezërit Klemend e Eldi Cala si dhe bashkëpunëtori i tyre Talo Çela, për të cilët policia ka vënë në dispozicion një shpërblim prej 10 mijë eurosh për cilindo që jep informacion që çon në gjetjen e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë