Lajme

Grabitja në Rinas, Policia zbulon një tjetër shumë parash në banesat e dy prej të arrestuarve

Policia ka zbuluar dy shuma të tjera parash të grabitjes së ndodhur në aeroportin e Rinasit, më 9 prill 2019.
Mësohet se policia i ka gjetur shumën prej 5 mijë eurosh shtetasit Elton Pikli, që është një prej të arrestuarve, si autor i dyshuar i supergrabitjes.
Ndërkohë, një shumë tjetër i është gjetur babait të Renaldo Sulës, edhe ky i arrestuar për grabitjen.
Paratë e gjetura kanë rezultuar se i përkasin një prej bankave të nivelit të dytë.
Ndërkohë gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë për marrjen e kampionit për të bërë analizën e ADN për Elton Piklin dhe Oltian Veselin.
Grabitja e 9 prillit në Aeroportin e Rinasit ishte ndër më të mëdhatë të ndodhura ndonjëherë në Shqipëri.
Bëhej fjalë për rreth 10 milionë euro që do të transportoheshin drejt Vjenës. Admir Murataj ishte njeriu që në ikje e sipër ka bërë rezistencë me armë ndaj policisë, e cila i ishte vënë nga pas. Ai mbeti i vrarë pas shkëmbimit të zjarrit me policinë gjatë ndjekjes.
Ndërkohë, nga policia janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar: Oltion Veseli, Alkond Bengasi, Renaldo Sula, Elton Pikli, Saimir Cela dhe shtetasi nga Kosova, Ragip Hajdini. Alkond Bengasi është bërë dëshmitar i drejtësisë dhe ka dhënë dëshmi për të zbardhur këtë supergrabitje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë