Lajme

Grabitja në Rinas, policia kërkon ndihmën e qytetarëve

Grabitja e miliona eurove në Rinas nuk ka ende asnjë autor, edhe pse kanë kaluar më shumë se dhjetë ditë nga ngjarja.

Pikërisht për këtë, Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia kanë kërkuar ndihmën e qytetarëve, të cilët mund të ndihmojnë hetimin nëse kanë informacion.

Nëpërmjet një njoftimi për mediat "Policia e Shtetit thotë se së bashku me Prokurorinë dhe agjencitë e tjera ligj zbatuese, mbeten  të angazhuara për zbardhjen sa më të shpejtë të rrethanave të grabitjes, zbulimit të autorëve dhe përballjen e tyre me drejtësinë".

Për këtë, policia kërkon ndihmën e qytetarëve, që "nëse kanë informacion që beson se ndihmon hetimin, mund të telefonojnë në numrin 112, duke garantuar edhe anonimatin".

Por në njoftimin e Policisë dhe Prokurorisë, ashtu siç ndodh rëndom në raste të tilla, nuk njoftohet për ndonjë shpërblim të mundshëm financiar për ata që japin informacion.

Ndërkohë Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia e Shtetit hedhin poshtë disa lajme të publikuara në media për identifikimin e dy prej autorëve të grabitjes.

Grabitja në Rinas ndodhi pasditen e 9 prillit, kur persona të armatosur hynë në pistën e aeroportit të Rinasit, duke grabitur thasët me para që do të transportoheshin me një avion jashtë Shqipërisë.

Pasi kanë dalë jashtë perimetrit të aeroportit, ata kanë shkëmbyer zjarr me forcat speciale, ku si pasojë mbeti i vrarë njëri prejt tyre, Admir Murataj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë