Treg

‘Grabitja’ e pronave të shqiptarëve në Veneto Banka, Konkurrenca: Nuk kemi kompetencë

Sabina Veizaj - Ish klientë të Veneto Banka Shqipëri i drejtohen Autoritetit të Konkurrencës për rrezikun që u kanoset pronave të tyre të lëna si kolateral në atë bankë.
Gazeta “Si” disponon letër ankesën e gjithashtu letrën e fundit për të cilën janë në dijeni Komisioni i Ekonomisë dhe Financës pranë Kuvendit të Shqipërisë, Komisioni Hetimor Parlamentar Italian “Bankat e Falimentuara”, Itali dhe Guvernatorit i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko për mospërmbushje nga ana e Institucionit të Autoritetit të Konkurencës të kërkesës për disponim të materialeve që kanë të bëjnë me Procedurën e Depozitimit të ankesës për “grabitjen e pronës” e vendosur si kolateral (garanci) pranë Veneto Banka sh.a., nga ana e “SGA” spa, një Shoqëri Mbledhje Borxhesh të Këqija, e përfaqësuar në Shqipëri me Prokurë nga ana e “TRANZIT” shpk.

Letër Ankesa e plotë:

Drejtuar: Autoritetit të Konkurencës

Për dijeni: Komisionit të Ekonomisë dhe Financës – Kuvendi i Shqipërisë
Për dijeni: Komisionit Hetimor Parlamentar Italian “Bankat e Falimentuara”, Itali
Për dijeni: Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent SEJKO
Lënda: Ankesë për mos-përmbushjen nga ana e Institucionit të Autoritetit të Konkurencës të kërkesës për disponim të materialeve që kanë të bëjnë me Procedurën e Depozitimit të ankesës për “grabitjen e pronës” e vendosur si kolateral (garanci) pranë Veneto Banka sh.a., nga ana e “SGA” spa, një Shoqëri Mbledhje Borxhesh të Këqija, e përfaqësuar në Shqipëri me Prokurë nga ana e “TRANZIT” shpk
.

Të nderuar Znj. Z.

Në dt. 31.01.2019, me Nr. Prot. 91, është depozituar pranë Autoritetit të Konkurencës, ankesa për “grabitjen e pronës” e vendosur si kolateral për një kredi pranë Veneto Banka sh.a., me Seli në Shqipëri, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Kullat Binjake – Tiranë,
Si dhe, në dt. 21.02.2019 me Nr. Prot. 91/2, ku është plotësuar formulari i ankesës nga ana e klientit që unë përfaqësoj z.X. Y, për Kontratën e Kredisë si punonjës i po kësaj banke prej vitit 2006, me Kontratë Pune pa Afat e miratuar nga Këshilli Drejtues i saj,
Po kështu, në dt. 25.04.2019, me Nr. Prot. 91/5, duke patur në disfavor kohën e gjatë të pritjes së një përgjigjeje nga ana juaj, 3 muaj nga depozitimi i ankesës së klientit që unë përfaqësoj, ku prona e vendosur si kolateral rrezikohet çdo ditë për t’u grabitur nga ana e shoqërisë italiane SGA spa, duke marrë parasysh të gjitha ato detyrime që percakton Ligji për Avokatinë në Republikën e Shqipërisë, kërkova të më vendosej në dispozicion nga ana juaj si institucion dokumentacioni i mëposhtëm:

  1. Vendimi i dt. 14.09.2017, me Nr. 274, per “Autorizimin e përqëndrimit të realizuar nëpërmjet blerjes së disa aseteve, detyrimeve dhe marrëdhënieve ligjore të ndërmarrjes Veneto Banca S.p.A nga Intesa Sanpaolo S.p.A”;
  2. Vendimi i dt. 22.06.2016, Nr. 422, për “Autorizimin e përqëndrimit të realizuar nëpërmjet përfitimit të kontrollit të Veneto Banca S.p.A nga Quaestrio Capital Management SGR spa nëpërmjet Fondit Atlante”;

Nisur nga kthimi i përgjigjes nga ana juaj, me shkresën zyrtare të dt. 14.05.2019, me Nr. Prot. 91/7, duke marrë të mirëqenë faktin se ka ndodhur një lapsus nga ana e institucionit tuaj, ku mungon praktika që unë si avokat kërkova të më vendosej në dispozicion me shkresën e dt. 03.05.2019, me Nr. Prot. 91/5, juaj, Ju paraqes edhe një herë zyrtarisht dhe me shkrim kërkesën për “Posedimin e dosjes së plotë të të gjithë praktikës së vendimeve që kanë të bëjnë me aktivitetin financiar të Veneto Banka sh.a. në Shqipëri”.

Për të qenë më i saktë për thelbin e kësaj kërkese, e gjithë procedura që ka të bëjë me periudhën edhe kur ka filluar nga procesi i falimentimit dhe i administrimit të detyrueshëm të bankës “mëmë” të Veneto Banka sh.a. në Itali, Gruppo Veneto Banca, si dhe të të gjithë praktikës së dërgimit të kredive të keqija (NPL) në Itali, fillimisht pranë Veneto Banca spa – LCA (Likujdim i Detyrueshëm Administrativ), dhe më pas tek “SGA” spa, Shoqëria për Menaxhimin e Kredive të Këqija, Ministria e Ekonomise dhe Financave të Qeverisë Italiane, si dhe në fund edhe praktikën e përthithjes së Veneto Banka sh.a. me Intesa Sanpaolo Bank.
Duke ju falenderuar për vëmendjen dhe bashkepunimin e pritshem pozitiv nga ana Juaj.

Gazeta “Si” iu drejtua Autoritetit të Konkurrencës dhe komunikoi me Sekretaren e Përgjithshme të institucionit Diana Dervishin. Znj Dervishi na tha se çështjen e bërë publike sëfundmi nuk e ka ndjekur në thellësi, por i ka mbërritur një letër në janar ku kërkohej praktika e përthithjes së bankës Veneto Shqipëri nga Intesa San Paolo, praktikë e cila sipas saj është publike dhe gjendet lehtësisht në internet.

Znj Dervishi sqaroi për Gazetën “Si” se pas vendimit të marrë për përthithjen 100% nga Intesa San Paolo të Veneto Banka Shqipëri, Autoriteti i Konkurrencës nuk ka më kompetencë.

“Nuk është në kompetencën tonë falimenti i një kompanie jashtë kufijve shqiptarë. Ne monitorojmë dhe jemi përgjegjëse për zhvillimin e konkurrencës së ndershme brenda territorit të Shqipërisë. Ne kemi dhënë verdiktin tonë për përthithjen e kompanisë nga një tjetër bazuar tek xhiroja dhe kriteret e tjera me dy vendime në 2016-2017. Procedura për të cilën flitet ka ndodhur jashtë territorit shqiptar, nuk është procedurë që i takon Autoritetit të Konkurrencës. Procedura i kalon gjykatës”, është shprehur znj. Dervishi për Gazetën “Si”.

Një prej ish klientëve me të cilët ka kontakt Gazeta “Si” ngre pyetjen “pse nuk është bërë analiza pse po bashkohen këto banka Intesa San Paolo dhe Veneto Banka Shqipëri pas bashkimit të të cilave rezultojnë 75 mln euro provigjonime. Po a mundet që TRANZIT të ushtrojë aktivitet financiar jashtë Italisë? Duhet të merrte OK nga pala shqiptare apo nga pala italiane? A ka një komunikim mes Autoritetit të Konkurrencës në Itali dhe Autoritetit të Konkurrencës në Shqipëri për këtë rast?”

Sipas tij, Autoriteti i Konkurrencës ka autorizuar një marrëveshje pa analizuar arsyen e përthithjes, kanë dhënë OK për fshirjen nga bilanci të kredive 50 mln euro, kanë lejuar një shoqëri të huaj të ushtrojë aktivitet në Shqipëri “debt collection” me portofol 50 mln euro duke bërë përqëndrim risku. Gjithashtu thotë ai, Konkurrenca ka lejuar që Tranzit shpk të kontraktohet nga jashtë Shqipërisë për borxh shqiptar, nis fatura në Itali për shërbimet që i kryen Sga.

Në bazë të ligjit për konkurrencën, Komisioni ndalon përqendrimet e ndërmarrjeve, që kufizojnë, në mënyrë të ndjeshme, konkurrencën në treg ose në një pjesë të tij, në veçanti, si rezultat i krijimit ose forcimit të pozitës dominuese.

Komisioni, në vlerësimin e përqendrimeve, mund të marrë, gjithashtu, parasysh, efiçencat ekonomike që mund të rrjedhin nga përqendrimi, nëse
a) efiçencat në fjalë kontribuojnë në rritjen e mirëqenies së konsumatorëve ose, të paktën, neutralizojnë efektet e mundshme negative që mund të sillte përqendrimi;
b) eficencat ekonomike janë ose do të jenë rezultat i përqendrimit nën shqyrtim dhe, për krijimin e tyre, nuk ekzistojnë mënyra alternative më pak antikonkurruese, se përqendrimi në fjalë;
c) efiçencat ekonomike duhet të jenë të verifikueshme.

Komisioni, në raste të veçanta, mund të mos ndalojë përqendrimet, kur njëra nga ndërmarrjet pjesëmarrëse rrezikon seriozisht të falimentojë e nuk ka mundësi tjetër më pak antikonkurruese se realizimi i përqendrimit nëse:
a) ndërmarrja ndodhet në një situatë të tillë që, pa këtë përqendrim, duhet të dale nga tregu në një të ardhme të afërt;
b) nuk ka mundësi për riorganizimin e veprimtarisë së kësaj ndërmarrjeje.

Gjithashtu Gazeta “Si” ka kërkuar informacione në lidhje me çështjen edhe pranë Bankës së Shqipërisë, e cila deri tani ka preferuar të heshtë.
Çështja e Veneto Banka Shqipëri ka mbërritur edhe pranë Parlamentit Italian për të cilën do të ketë një seancë dëgjimore në Dhomën e Deputetëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë