Tre persona janë arrestuar në lidhje me grabitjen e ndodhur pak ditë më parë në postën e Krujës, ku u vodhën një sasi e madhe lekësh.
Pas arrestimit të rojës private, Besnik Parruca, për “Moskallëzim krimi” dhe “Shpërdorim detyre”, mësohet se janë vënë në pranga dhe 3 persona të tjerë.
Të arrestuar janë shtetasit Mark Caka; Bujar Tafa; Andi Paturri (Çerishti) si dhe roja Besnik Parruca.
Ndërkohë policia ka sekuestruar një pjesë të lekëve si edhe automjete dhe armë.
Vjedhja e kasafortës së postë së Krujës ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit të 4 nëntorit, ku autorët kanë marrë sasinë e lekëve dhe më pas janë larguar.
Roja private, pas marrjes dijeni për ngjarjen akuzohet se nuk ka kryer sipas detyrimeve ligjore njoftimin e shërbimeve të Komisariatit të Policisë Krujë, as në momentin kur patrulla e policisë ka kaluar dhe e ka pyetur nëse kishte ndonjë problem tek posta, me pretendimin se është kërcënuar nga autorët.
Rama: Dëshmi e rritjes së forcës goditëse të Policisë
Pas arrestimit të katër personave për vjedhjen e kasafortës në Krujë, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama.
Nëpërmjet një postimi në “Twitter”, kreu i qeverisë thotë se kjo është një tjetër “dëshmi e rritjes së forcës goditëse të Policisë së Shtetit dhe gatishmërisë së saj për sprovën e afërt kundër Krimit të Organizuar dhe KÇK”.
“Kapja e menjëhershme e autorëve të vjedhjes së kasafortës së pensioneve në Krujë, që zbardh edhe disa grabitje të të njëjtëve autorë, një tjetër dëshmi e rritjes së forcës goditëse të Policisë së Shtetit dhe gatishmërisë së saj për sprovën e afërt kundër Krimit të Organizuar&KÇK”, shkruan kryeministri Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.