Politike

Grabitja, Basha: Kanë dalë prova tronditëse. Si lidhet qeveria me “Rinasin”

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha reagoi sërish sot për grabitjen në Rinas, duke ia ngarkuar përgjegjësitë Edi Ramës, që sipas tij, po ia faturon këtë ngjarje kompanisë private.
“Tani 48 orë pas tronditjes së Shqipërisë dhe të mbarë botës nga grabitja e armatosur në Rinas, pyetjet janë shtuar dhe përgjigjet mungojnë. Rama po mundohet që dështimin e policisë dhe qeverisë dhe rënien e shtetit para krimit t’ia faturojë një kompanie private. Si për çdo gjë tjetër, fajin e ka të tjerët. Ai as që e vret mendjen. Mendja e tij është si të vjedhë dhe grabisë Shqipërinë me oligarkët. Ngjarja e Rinasit nuk është e shkëputur dhe as e vetmja, por pjesë e zhvillimeve në gjithë Shqipërinë, pjesë e rrëmbimeve në Vlorë, grabitjeve me armë të bizneseve, postave, vrasjeve dhe rrëmbimeve të bankierëve; që kanë filluar me instalimin e Edi Ramës në pushtet’, deklaroi Basha para mediave.
Kryedemokrati Basha tha se ngjarja e rëndë e Rinasit mund dhe duhet të ishte parandaluar.
“Vrasjet dhe rrëmbimet e biznesmenëve dhe bankierëve kanë filluar me ardhjen e Ramës në pushtet. Në Shqipëri ligjin e bën krimi. Përgjegjës për sigurinë në Rinas dhe kudo është qeveria dhe shteti shqiptar dhe jo kompania. Në bordin e Autoritetit Civil është vetë Ministri i Brendshëm, por ministri nuk ka qëllim që të mbrojë vendin dhe qytetarët nga kriminelët. Vetë Edi Rama ka pranuar publikisht se bandat luftojnë brenda qyteteve. Në 48 orë pas ngjarjes kanë dalë fakte tronditëse në skenë!”, deklaroi Basha.
Më tej ai foli për shkelje të Kushtetutës dhe se persona të dyshimtë që janë pranë Edi Ramës ndodhen në krye të Autoritetit të Avionit Civil.
“Lleshaj i bëri bisht faktit të rëndësishëm dhe nuk i dha përgjigje pyetjes, se si Admir Murataj nuk u kap, ndonëse ishte 6 vite në kërkim. Fakti i dytë është se Edi Rama ka shkelur Kushtetutën, duke emëruar Gjeneral Sandër Lleshin, kryetar të Këshillit të Aviacionit Civil. Ndërkohë që kur Lleshaj ka qenë në krye të kësaj detyre, Rinasi është grabitur dy herë”, tha Basha.
Sipas tij, nëse do të zbatohej urdhri i datës 5 gusht 2018, që thoshte se policia të shoqërojë transportin e parave, nëse shuma e kalon 950 mijë eurot, asgjë e tillë nuk do të kishte ndodhur. Më tej, Basha akuzoi se kompania private e sigurimit në Rinas figuron në bashkëpronësi të avokatit të PS-së, Eno Bushi, i njohur si avokati i Riformatos, piloti italian të avionit me drogë.
“Ndërsa gruaja e tij, Joana Bushi është drejtoreshë e trafikut ajror. Më shumë pyetje mbeten pa përgjigje, ndërsa logoreja e Ramës rreket me propagandë. Pse nuk u zbatua urdhri 130 për shoqërimin e parave nga policia? Çfarë përgjegjësie ka kompania e sigurisë në Rinas? Pse Lleshaj u emërua kryetar i kësaj drejtorie në shkelje të ligjit? Pse pas përplasjes me policinë grabitësit u larguan në këmbë pasi dogjën makinën? A janë akoma 10 mln euro në duar të bandës? A është vetëm për paaftësi apo kemi të bëjmë me bashkëorganizim të grabitjes me shtetin? A është shteti si në rastin e kultivimit të drogës? Pa shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe autorizim nga Kuvendi ushtria u nxor nga kazermat”, deklaroi Basha.

 

Më Shumë