Kristi Çinari, i riu i dyshuar si autor i grabitjes së dy farmacive dhe një pike dhëniesh kredie brenda në kryeqytet është arrestuar mbrëmjen e 8 shkurtit në Tiranë.
“Ndalimi i tij është bërë nga efektivë të komisariatit numër 4 teksa po tentonte të vidhte zyrat e UKT-së, në rrugën ‘Sitko Çiço’ në Tiranë”, thotë policia e Tiranës.
Çinari u kap me një kartë ID të falsifikuar me emrin Blerim Krasniqi.
I riu është person me precedent penal të mëparshëm në fushën e vjedhjes.
Grabitjen e parë që dyshohet se ka kryer ka ndodhur në vitin 2017 në një farmaci në rrugën e Kavajës, vepër penale për të cilën ka kryer dhe dënimin me burg, ku vetëm pak kohë më parë është liruar.
Ai është autori i dyshuar i vjedhjes me pistoletë çakmak të një sasie vlere monetare në një farmaci, ngjarje e ndodhur me 21 janar 2021, në bulevardin “Zhan D’Ark’.
Gjithashtu është autori i dyshuar i vjedhjes me pistoletë çakmak të një sasie vlere monetare në filialin e një institucioni për dhënie kredie, ngjarje e ndodhur më datë 23.01.2021, rreth orës 13:40, në rrugën “Bardhyl”.
Gjatë kontrollit të banesës iu gjetën dhe iu sekuestruan një pistoletë çakmak, e cila është përdorur për kryerjen e vjedhjeve (fiksuar nga kamerat e sigurisë), dokumente të ndryshme dhe një kartë identiteti e shtetit kosovar, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja me armë”, “Vjedhja” e mbetur në tentativë dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.