Rend dhe Ligj

Grabitësja me armë gjahu

Ngjan si histori e shkëputur nga ndonjë serial policesk i dorës së dytë, aventura me grabitje karburantesh e 31-vjeçares Ana Malaj dhe kushëririt të saj 22-vjeçar Emiljano Grembi, të dy nga Mallakastra. Nëpërmjet pamjeve nga kamerat e sigurisë, policia ka arritur ta identifikojë grabitësen nga varësja e qafës, nga çiftja me të cilën ka kryer vjedhjen e 30 mijë lekëve në një pikë karburanti dhe tentativën për të grabitur edhe dy pika të tjera. Ndërsa, këtë të mërkurë, përpara Gjykatës së Fierit e cila për ta dha masën e arrestit me burg pa afat, dy kushërinjtë deklaruan se në fillim e kishin nisur gjithçka ngaqë kishin qenë të dehur dhe më pas kanë vazhduar të detyruar nga kushtet e vështira ekonomike.

Malaj dhe Grembi kanë pranuar se kanë grabitur pikën e karburantit në Levan të Fierit më datë 2 korrik dhe kanë tentuar dy herë në pika të tjera në Ballsh e Fier. Duke shfaqur pendesë, 31-vjeçarja u shpreh se ka dy fëmijë të vegjël, për të cilët kujdeset e vetme. Ndërsa nëna e Emiljanos, Fetie Grembi tha se e mbesa e kishte marrë në qafë të birin. “E kam nxjerrë disa herë nga shtëpia mbesën. Nuk më pëlqente çfarë bënte. Ana ka dy fëmijë, vajzë e djalë. Vetë ka ndenjur në Gjermani ku mbante emrin Jonida. Jam në gjendje të vështirë ekonomike. Djali nuk është marrë me këto gjëra”, është shprehur ajo.

Policia nuk zbulon se cili ka qenë sinjalizimi që ka çuar operativët e zonës deri te 31-vjeçarja. Por, pas marrjes së një informacioni paraprak, hetuesit e policisë i kanë shkuar në banesën e saj në fshatin Visoke të Mallakastrës. Me justifikimin e një kontrolli rutinë për armë pa leje, policëve u është dorëzuar nga vetë Ana arma e gjahut. Nga një verifikim i shpejtë shkencor, ka rezultuar se ka qenë e njëjta armë e përdorur në grabitjen e parë. Fillimisht, 31-vjeçarja është shoqëruar në komisariat dhe pas saj atje ka përfunduar edhe i këshëriri Emiljani. Gjatë marrjes në pyetje, hetuesi i Prokurorisë së Fierit, Çlirim Sino ka konstatuar se Ana mbante në qafë një varesë të ngjashme me atë që mbante vajza e që shfaqej qartë në pamjet e marra nga kamerat e sigurisë. Edhe statura e 31-vjeçares dhe aspekte të tjera fizike kanë qenë mjaft të ngjashme. Madje hetuesit i kanë kërkuar të resë që të ecë dhe vrapojë për disa metra, për ta krahasuar përfundimisht atë me vajzën e pamjeve të kamerave të sigurisë. Nuk ka vonuar shumë dhe e ndodhur përballë këtyre fakteve, Ana Malaj është “dorëzuar”, duke rrëfyer e pranuar gjithçka.

Dhe gjithçka kishte nisur natën e 1 korrikut, kur pasi ka festuar ditëlindjen e saj, në gjendje të dehur, kanë shkuar së bashku me kushëririn, Emiljanon, që të vidhnin me armë karburantin në Levan. “Pimë dhe festuam deri në vonë atë natë dhe pas kësaj u nisëm për te pika e karburantit. Përzgjodhëm pikërisht këtë pikë karburantesh, pasi disa ditë më parë, kur kthehesha nga Vlora për në Fier, kisha ndaluar për t’u furnizuar atje me karburant”, mësohet të jetë shprehur Ana Malaj. Mbi të dhe kushëririn e saj Emiljano Grembi, rëndon jo vetëm akuza e grabitjes me armë të kësaj pike karburanti, por edhe akuza për tentativë grabitje të dy pikave të tilla të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë