Lajme

Grabitën dhe mbajtën peng taksistin, arrestohet pronari i lokalit dhe 3 të tjerë

Policia e Elbasanit ka vënë në pranga 4 shtetas, pasi akuzohen për grabitje dhe pengmarrje të një taksisti, i cili ishte ulur për kafe në një lokal në fshatin Katund i Ri në Elbasan.
Në pranga kanë përfunduar pronari i lokalit Thanas Bejko, 33 vjeç dhe shoku i tij, Ertis Skilja, 42 vjeç për vjedhje me dhunë dhe heqje të paligjshme të lirisë.
Po ashtu u arrestuan edhe dy kamerierët e lokalit për deklaratë të rreme e veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Siç njofton policia, arrestimi i tyre u bë pasi në ambientet e një lokali në fshatin Katund i Ri, Elbasan, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kanë vjedhur me dhunë një shumë prej 2000 eurosh dhe e kanë mbajtur peng për disa orë shtetasin A. V., i cili punon taksist dhe kishte ndaluar aty për të pushuar.

Gjithashtu u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësor”, shtetasit E. I., 20 vjeç dhe E. Gj., 20 vjeç, (kamerierët e lokalit), të dy banues në fshatin Katund i Ri, Elbasan.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë