Futboll

Goli i parë turk dhe njeriu i ndeshjes, Muçi elektrizon Beshiktashin. Shënon dhe Manaj

Gazeta Si – Me atë që kanë parë sot në fushë, te Beshiktashi janë bindur se 10 milionë eurot e shpenzuara për Ernest Muçin ia kanë vlejtur. Sulmuesi kuqezi ka shënuar golin e parë me fanellën e Beshiktashit, të dytin në fitoren 0-2 në fushën e Istanbulsporit.

Sulmuesi kuqezi tundi rrjetën me një goditje të saktë në hyrje të zonës. Jo vetëm kaq, ai u shpall ‘lojtari i ndeshjes’ me performancën shumë të mirë që ka bërë gjatë 90 minutave. Në një kohë shumë të shkurtër, Muçi ka bërë për vete Beshiktashin me klasin e tij.

Sulmuesi shqiptar po kalon një moment shumë të mirë, fitoi menjëherë statusin e titullarit tek ekipi i madh turk dhe e ka përballuar në mënyrën më të mirë presionin e një blerjeje të madhe. Me këtë ritëm, Muçi me siguri mund të jetë protagonist edhe me Kombëtaren në Europian.

Një formë të shkëlqyer në Turqi po kalon edhe sulmuesi tjetër, Rei Manaj. Ai shënoi sot golin e radhës, i 14-i në kampionat. Manaj realizoi golin e 3-të në fitoren 4-1 të Sivasporit ndaj Pendiksporit. Me formën sportive dhe mbi të gjitha me rendimentin e deritanishëm, Manaj do të rikthehet në Kombëtare nga trajneri Silvinjo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë