Drejtuesit e Bournemouth do të mblidhen në fundjavë për të diskutuar mundësinë e një kërkese për dëmshpërblim nga Hawk-Eye, agjencia që furnizon Premier League me goal-line technology. Cherries, që zbritën nga kategoria pas pesë sezonesh, paguajnë shtrenjtë mungesën e vlerësimit të një goli shënuar nga Sheffield United kundër Aston Villa (ndeshje e përfunduar 0-0), pavarësisht se topi kishte kaluar linjën e portës, për shkak të mungesës së funksionimit të sistemit teknologjik. Të dielën e kaluar, pa atë pikë, Villans do të ishin rrëzuar nga kategoria për diferencë golash, ndërsa Bournemouth do të kishte shpëtuar.
Sipas klubit anglez, goli evident që nuk u pa në atë ndeshje kontribuoi në shpëtimin e Aston Villa e si pasojë në rrëzimin e kuqezinjve. Pak pas mbarimit të ndeshjes, erdhi edhe një komunikatë e Hawk-Eye Innovations, shoqëria që administron sistemin e Goal-line Technology: “Portieri, mbrojtësi e traversa bllokuan telekamerat, nuk kishte ndodhur kurrë në 9000 ndeshje. I kërkojmë ndjesë Premier League e Sheffield”.
KOMUNIKATA E HAWK-EYE INNOVATIONS
“Gjatë pjesës së parë të Aston Villa-Sheffield United është verifikuar një incident me Goal-line Technology, në të cilin topi ka kaluar vijën e portës bashkë me portierin e Aston Villa, numri 25 Nyland. Gjyqtarët nuk kanë marrë një sinjal as nga ora e as nga kufjet. Shtatë telekamerat prezente rreth portës ishin të mbuluara nga portieri, mbrojtësi dhe traversa. Një nivel i tillë errësimi nuk ishte verifikuar kurrë në mbi 9000 ndeshje në të cilat sistemi ynë ka qenë operativ. Sistemi ishte testuar para fillimit të ndeshjes dhe u konfirmua funksional nga arbritrat, duke qenë në funksion gjatë gjithë ndeshjes. Hawk-Eye kërkon ndjesë ndaj Premier League, Sheffield United e të gjithë ata që janë prekur nga ky incident”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.