Futboll

Golat e pësuar, Konte kërkon “digën” në prapavijë me Kante dhe Smolling

Antonio Konte është në kërkim të perfeksionit. Interi e mbylli sezonin si mbrojtja më e mirë e Serisë A, por në “San Siro” pësoi 3 gola nga Fiorentina dhe u vu në vështirësi të madhe nga “plakushi” Riberi. Vetëm tri herë sezonin që shkoi skuadra e Kontes pësonte 3 gola në një ndeshje. Këtë herë i pësoi që në start.

Ajo mbrojtje solide nuk është më, Godin shkoi te Kaljari, kurse Shkriniar është me mendje më shumë në Londër se në Milano. Megjithatë, gabon kush gjykon vetëm treshen e mbrojtjes, që dukej jetime pa De Vrij. Bastoni debutonte në qendër, kurse Kolarov është shumë prapa me gjendjen fizike. Por problemi është diku tjetër, është te mungesa e lojtari të rëndësishëm filtrues në mesfushë, pranë Barelës. Vetëm Galiardini i ka karakteristikat të tilla. Brozoviç ka kualitet, por mungon thuajse totalisht në fazën mbrojtëse.

Smolling, kur luante me Romën si i huazuar nga Mançester Junajtid. Gazeta Si, 29 shtator 2020

"Kemi humbur shpesh ekuilibrin mes sulmit dhe mbrojtjes”, - tha Konte pas ndeshjes me Fiorentinën. Sipas tij, mesfushorët nuk duhet të mendojnë vetëm për lojën sulmuese. Një dorë mund të japë Vidal, i cili mund ta mbulojë atë zonë, por shpresat e zgjidhjes përfundimtare janë te merkatoja, ku lëvizjet janë jo pak të komplikuara.

Interi është në pritje të ofertës zyrtare të Totenhemit për Shkriniar. Nuk ka nevojë për një takim tjetër mes palëve, mjafton një “conference call” për të fiksuar shifrat, 40 milionë euro plus bonuset. Po pastaj? Konte ka nevojë për një mesfushor qendre dhe zëvendësuesi i Shkriniarit mund të kërkohet vetëm në huazim. Të preferuarit janë Kabak dhe Milenkoviç, por është më e thjeshtë për Smolling. Zikaltrit po mendojnë për një ofertë për huazimin e tij nga Mançester Junajtid.

Nëse ndodh kjo, Interi mund të kursejë shumën që do duhej për të arritur te Kante, aq shumë i kërkuar nga Konte. Francezi për Çelsin nuk është i pashitshëm, këtë ka lënë të nënkuptohet trajneri Lampard, i cili është i interesuar për Rajs të Uest Hemit. Vetë Kante është i gatshëm të bashkohet sërish me Konten, edhe pse për të së fundi është futur në garë edhe Mançester Junajtid. Kante po që do t’i jepte ekuilibër skuadrës, shumë më shumë se Brozoviç dhe Eriksen, për të cilët Interi pret oferta dhe mund të largohen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë