Futboll

Gola me shumicë në Gjermani, futbollistët nuk i frenojnë dot përqafimet

Vetëm pak orë Borusia Dortmund shpresoi se do ta shkurtonte diferencën e pikëve me Bajernin, sepse “orteku” i golave të bavarezëve ndaj Eintraht Frankfurtit ktheu gjithçka si më parë, me skuadrën e Flik që kryeson me 61 pikë, e ndjekur nga ajo e trajnerit Favre me 57 pikë.

Borusia Dortmund fitoi pastër në fushën e Volfsburgut, 0-2, me gola të Guerrero dhe Hakimit. Po Bejerni u përgjigj me fitoren e thellë, 5-2 ndaj Eintrahtit të Frankfurtit. Realizuan për Bajernin Gorecka, Levandovski, Myler, Devis dhe në fund një autogol i Hintereger, i cili realizoi edhe dy golat e ekipit mik. Nga rezultatet e javës së 27-të të Bundesligës bie në sy fitorja e Bajer Leverkusen ën fushën e një rivali direkt si Borusia Mënshegladbah. Një sukses që e ngjit Leverkusenin në vend të tretë.

Lojtarët e Verderit festojnë golin e fitores ndaj Frajburgut. Gazeta Si, 23 maj 2020

Imazhet kanë qenë të trishta në fakt, me stadiumet e boshatisura. Futbollistët nga ana e tyre këtë herë nuk i kanë rezistuar kënaqësisë së golit dhe nuk i kanë frenuar përqafimet mes tyre, diçka instiktive në futboll. Ndryshe nga java e kaluar, e para pas shkëputjes nga koronavirusi, këtë herë festimet e golit kanë qenë më natyrale, me përqafime thuajse në çdo fushë, edhe pse protokolli e ndalon, sepse ka rrezik infektimi.

Në fushë kanë zbritur edhe dy futbollistë të Kombëtares, Klaus Gjasula dhe Amir Abrashi, i pari titullar dhe i dyti si zëvendësues. Paderborni i Gjasulës barazoi 1-1 me Hofenhejmin, kurse Frajburgu i Abrashit u mund në shtëpi nga Verder Bremeni i Rashicës.

Ndeshjet e sotme
B.Mënshengladbah-Bajer Leverkusen 1-3
Frajburg-Verder Bremen 0-1
Paderborn-Hofenheim 1-1
Volfsburg-B.Dortmund 0-2
Bajern Mynih-Eintraht Frankfurt 5-2


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë