Futboll

Goditi me kokë lojtarin kundërshtar, Leçe e Ramadanit shkarkon trajnerin

Gazeta Si - Roberto D'Aversa është shkarkuar zyrtarisht nga detyra e trajnerit të Leçes, ku luan mesfushori i Kombëtares shqiptare, Ylber Ramadani. Një vendim i pritshëm nga klubi italian, pas humbjes së radhës dhe mbi të gjitha pas gjestit shumë të shëmtuar të trajnerit, që goditi me kokë Henri të Veronës pas ndeshjes së fundit.

Atë gjest trajneri e minimizoi. Ai kërkoi falje dhe tha se nuk e kishte goditur lojtarin kundërshtar, por drejtuesit e Leçes kanë mbajtur qëndrim të prerë. Mëngjesin e sotëm, pas një takimi mes trajnerit D'Aversa dhe presidentit Korvino, ka ardhur ndarja zyrtare.

“Pas asaj që ndodhi në fund të ndeshjes Leçe-Verona, klubi komunikon se ka shkarkuar nga detyra trajnerin Roberto D'Aversa, - shkruhet në njoftimin e Leçes. – Trajnerin dhe stafin e tij e falënderojmë për punën që kanë bërë me skuadrën".

Javët e fundit Leçe ka pasur një rënie të lirë, duke pësuar disa humbje radhazi, që e kanë vënë në rrezik për rënien nga kategoria. Ylber Ramadani, mesfushori kuqezi, ka qenë një titullar fiks të formacionin e D’Aversës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë