Lajme

Goditet rrjeti, gjysmë ton kanabis nga Shqipëria në Itali (Video)

Një rrjet shqiptaro-italian, i dyshuar për trafikim të sasive të mëdha të marijuanës nga Shqipëria drejt Italisë është goditur në kuadër të operacionit të koduar “Sabbia”.

Sipas Policisë italiane, katër shqiptarë dhe një italian u arrestuan në Firence, Siena, Brindizi dhe Vlorë ndërkohë që gjatë procesit hetimor është bllokuar mbi gjysëm tonë marijuanë.

Grupi kriminal është hetuar, sipas policisë italiane, për importimin, transportimin dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të marijuanës nga brigjet e Shqipërisë në ato të Pulias.

Trafiku realizohej përmes mjeteve të shpejta detare që niseshin nga Vlora. Po sipas burimeve policore italiane, sasitë e mëdha të narkotikëve dërgoheshin më pas nga rajoni i Pulias në Italinë Jugore në disa nga qytetet kryesore italiane, të njohura për tregun kriminal të marijuanës.

Policia shqiptare nuk ka dhënë hollësi për personin e arrestuar në Vlorë për llogari të drejtësisë italiane, por mediat përtej Adriatikur raportojnë se i ndaluari është Flodian Serjani, një trafikant me lidhje të qëndrueshme në Toskana dhe që udhëtonte shpesh mes Shqipërisë dhe krahinës së Brindisit për të organizuar mbërritjen e ngarkesave.

Operacioni i sotëm u pasua nga hetimet e hollësishme të iniciuara në janar 2018, gjë që bëri të mundur identifikimin e grupit kriminal të organizuar, i përbërë kryesisht nga shqiptarë.

Sa i takon të ndaluarve të tjerë, po sipas mediave italiane, ata janë: Armand Lushaj, Indrit Hamzaj, Julian Alliaj.

Ata kanë gjetur mbështetjen logjistike të atyre që janë pjesë e krimit të organizuar në Puglia, përfshirë Saverio Palman, i cili u arrestua sot.

Droga, nëpërmjet korrierëve, u transportua më pas në vende të ndryshme për tregun italian si në Romë, Napoli, Milono dhe Firence.

https://www.youtube.com/watch?time_continue=3&v=fu9morUIoM4

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë