Lajme

Goditet grupi që falsifikonte dokumente për në vendet e BE, 3 të arrestuar

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Laboratori” dhe ka ndaluar tre persona, pasi falsifikonin dokumente, me qëllim dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Pas 6 muajve hetim, policia ka vënë në pranga shtetasit Th. T., 61 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për falsifikim të dokumenteve.
V. S., 63 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Tiranë, i dënuar dy herë më parë për falsifikim dokumentesh.
P. B., 65 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë.
Siç njofton policia, këta shtetas, në një ambient në Durrës, të cilin e përdorin si bazë për të kryer falsifikimet, ndërsa aktivitetin e zhvillonin në Tiranë, pasi gjenin klientë, kryenin falsifikimin e dokumenteve, me qëllim kalimin në mënyrë të paligjshme të kufirit.
Gjatë operacionit, Policia shkatërroi bazën ku kryheshin falsifikimet dhe ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
Një laborator i cili shërbente për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, një automjet tip Opel Corsa, një kompjuter, 7 stampa, vula, morseta të institucioneve të huaja të ndryshme, një printer skaner që shërbente për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara,
një pajisje speciale për plastifikimin dhe prodhimin e dokumenteve të falsifikuara; një llambë speciale me rreze ultravioletë, hekur special për plastifikim dhe 4 pajisje speciale për hapjen dhe ndërhyrjen në dokumentet origjinale. Po ashtu u bllokuan 12 karta greke të falsifikuara, 6 leje drejtimi italiane, 1 leje qëndrimi italiane, 12 karta identiteti italiane, 3 karta shëndeti italiane, 1 leje drejtimi angleze, 3 fletë hyrje për institucione të ndryshme,
1057 karta të paplotësuara me çip dhe elementë sigurie për patentë dhe dokumente të ndryshme të paplotësuara, dëftesa shkollore, dokumente institucionesh, fotografi, vulë e thatë e një zyre noteriale dhe 1 250 euro.
Policia thotë se këto dokumente prodhoheshin për persona që e kanë të ndaluar udhëtimin në vendet Schengen dhe për persona të ndryshëm të cilët do t’i përdornin këto dokumente për vendet e Bashkimit Europian, për të emigruar në mënyrë të paligjshme apo tranzit për të shkuar jashtë Bashkimit Europian.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve të mësipërm, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve, vulave, stampave dhe formularëve” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

https://www.facebook.com/1502420603377639/videos/2496061643833980/?__tn__=kC-R&eid=ARATRPusVx19mBhQ7YLXx6Nx_fB_Tk1riWOZFf1-4s7rY2PJuQOWw6PtS6MOcoqn4l8tjqHjwgrx6Fzf&hc_ref=ARTr-TsmR3LtdHCpucwAD9O9BaNcMF0vTuj5LhDtauGksFdNZ0dTIj3vx-q6U4wfWic&fref=nf&__xts__[0]=68.ARCgZUs2v0_5jh_m5IOVua0Do5mZ_Zo5FmBEao88teiUBreuH559CYjX-rJxcu1MKFO5o875RCFBhSCi4SoMVTm_Ekzf3u4_DDI6TBqI5TTzeiCQfNMQSoHcb-2STbs4ibCIi9b5tfSabNLnXVeE6kd301n_UjJalEWuDqx6pM6VPOLucWJWxhGTfy_qswykp7PqxQNlORcD2t6hlCPOniH8a33qC8Hckyb-JRCFU2fbCIzISkmNrVYQhbVbhgRBfVpG0EVPJCenFnlkaMYDjEvGFwk7KGhxkACknGJ7UO9V3_3J2PMWJBqDUtb9EwcrtgHvK9m1sUe4nsRrNfVNaKVeQ5pHUj1rCUATFmdJ_-nS8_S03fpLv3cwZPtdfBcrpG_G2vc

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë