Lajme

Goditën punonjësit e IKMT-së në Astir, procedohen 9 persona

Procedohen 9 persona për sulmin me gurë e sende të forta ndaj punonjësve të IKMT-së dhe punonjësve të Policisë në zonën e Astirit në kryeqytet.
Policia thotë se është arrestuar në flagrancë shtetasi me inicialet Sh. S., 50 vjeç, banues në Tiranë.
Ndërkohë janë shpallur në kërkim 7 shtetas të tjerë: J. M., S. H., F. D., V. D., L. K., Sh. N. dhe G. S., të cilët pas sulmit mbi punonjësit e IKMT-së dhe të Policisë janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Po ashtu është proceduar në gjendje të lirë edhe shtetasi E. D., 35 vjeç, banues në Tiranë.
Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, në zonën e Astirit në kryeqytet, ku një grup personash, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë goditur me gurë e sende të forta punonjësit e IKMT-së dhe punonjësit e Policisë, të cilët ishin duke bërë njoftimin e bizneseve që preken nga projekti i rrugës.
Si pasojë e sulmit me gurë dhe sende të forta mbetën të plagosur 4 punonjës të IKMT-së dhe 1 punonjës i Policisë. Gjithashtu, gjatë sulmit me gurë e sende të forta ndaj punonjësve të IKMT-së dhe punonjësve të Policisë, është dëmtuar edhe një automjet i Policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Shkatërrim prone”, “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “Goditje për shkak të detyrës”, në ngarkim të shtetasve Sh. S., J. M., S. H., F. D., V. D., L. K. dhe Sh. N., si dhe në ngarkim të shtetasit G. S., për veprat penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme”, “Shkatërrim prone”, “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “Goditje për shkak të detyrës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë