Godina e ish-Radio Tiranës nuk del nga lista e monumenteve të kulturës!
Kjo ka qenë deklarata e ministres së Kulturës, Elva Margariti para gazetarëve, gjatë inspektimit të punimeve të vilës së piktorit Sali Shijaku.
Ministrja bëri me dije se për këtë ndërtesë ka një projekt restaurimi, por duhet të jetë dhe dakordësia me pronarët.
“Shpesh dialogu midis privatëve dhe shtetit nuk gjendet. Janë pasuri të përbashkëta. Shpeshherë s’kemi investuar, sepse ka probleme të pronësisë. Vetë pronarët mund të mos bien dakord për mënyrën se si ne bëjmë restaurimin e godinës. Rastet janë të ndryshme nga njëra-tjetra. Ka një projekt restaurimi për ish- godinën e ‘Radio Tiranës’. Deri tani nuk ka dalë nga lista e monumenteve të kulturës nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. Sa të jem unë ministre e Kulturës nuk do të dalë. Kur të biem dakord me pronarët, do të restaurohet. Projekti është gati”, tha Margariti.
Sa i përket vilës së piktorit Sali Shijaku, ministrja tha se falë përkushtimit të specialistëve u arrit realizimi i një sërë punimesh.
“Sot inspektuam përfundimin e fazës së parë të punimeve për restaurimin e banesës, e cila kishte pësuar dëmtime për shkak të tërmetit të vitit që shkoi. Falë përkushtimit të specialistëve pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Drejtorisë Rajonale të Tiranës, por edhe bashkëpunimit me banorët e shtëpisë, u arrit realizimi i një sërë punimesh shumë të rëndësishme për jetëgjatësinë e monumentit”, u shpreh Margariti.
Ndër të tjera, ajo tha se “restaurimi i shtëpisë së Shijakasve konsiston në dy faza: gjatë fazës së parë u restaurua dyshemeja e odës së zjarrit, u zëvendësuan trarët e çatisë, dritaret e kangjellat. Faza e dytë konsiston në restaurimin e çatisë. E shndërruar në një galeri arti, kjo shtëpi ka një vlerë të dyfishtë, çka ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e vizitorëve shqiptarë e të huaj.
Margariti foli edhe për problemet e dala nga trashëgimtarët e Maks Velos që duket nuk janë dakord që shtëpia të bëhet muze.
“Për kthimin e shtëpisë së Maks Velos në muze nuk kanë rënë dakord trashëgimtarët, konkretisht nipi i tij. Nuk ka asnjë lloj interesi nga shteti apo zbatim të pronës, por ajo që ne i japim është një status dhe prona mbet përherë e pronarit, por ne duhet të ndryshojmë mendësinë tonë, se si ne qasemi në këtë drejtim. Jo vetëm inventarizimi i shtëpisë së Maks Velos, por kudo që ka pasuri kulturore, ne kemi nis inventarizimin”, tha Margariti.
Banesa e Shijakasve, monument kulture i kategorisë së parë është ndërtuar në gjysmën e parë të shek. XIX.
Kjo banesë e ndodhur në Rr. “Vildan Luarasi”, është shembull tipik i banesës tiranase. Ndërtuar në gjysmën e parë të shek. XIX paraqet fazën më të zhvilluar të kësaj banese. Ajo ka planimetri katërkëndëshe të rregullt me dy kate. Shtëpia e zjarrit është bërthama e mjediseve përqark saj. Në katin e parë janë ambientet ndihmëse ndërsa në katin e dytë, ambientet e ndenjes dhe anekset e shërbimit, shkallët që ndërlidhin katet janë prej druri.
Banesa e Shijakasve është shpallur monument kulture i kategorisë së parë në vitin 1973.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.