Daljen para gazetarëve në përfundim të samitit informal me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor, Kryeministri Edi Rama e nisi me justifikimin e disa mungesave të mëdha në këtë takim, si Kryeministri bullgar, Boyko Borisov, ai maqedonas, Zoran Zaev, apo Kryeministrja serbe, Anna Brnabiç.
“Rrethana objektive kanë pamundësuar praninë e disa miqve të rëndësishëm. I shpreh ngushëllimet tona Kryeministrit Borisov për aksidentin tragjik, ku kanë humbur jetën shumë persona dhe është bërë shkak për anulimin në minutën e fundit të ardhjes së tij këtu. Kryeministri i Maqedonisë, pas më shumë se një orë në aeroport e ka pasur të pamundur fluturimin për shkak të kohës, Kryeministrja e Serbisë na ka shprehur keqardhjen për pamundësinë për të ardhur këtu”, tha ai.
Të vetmit kryeministra, veç tij, Rama pati dy. Ishte Ramush Haradinaj i Kosovës dhe Dushko Markoviç i Malit të Zi, që iu bashkuan panelit të diskutimit me Komisionerin Johannes Hahn dhe përfaqësuesin e BERZH-it.
Zyrtarisht u tha se katër ishin tematikat kryesore të këtij takimi, që fillonin që me strategjinë e përbashkët të integrimit europian, zbatimin dhe fuqizimin e zonës ekonomike rajonale, marrëveshja roaming dhe bisedimet për njohjen reciproke të kualifikimeve akademike dhe profesionale.
Kryeministri Edi Rama u ndal më gjatë tek strategjia e përbashkët për integrimin dhe tek zona ekonomike rajonale. U përqëndrua tek bashkëpunimi me Kosovën dhe Malin e Zi.
“Objektiv është ngritja e qendrës për zhvillimin e qëndrueshëm teknologjik në Malin e Zi, iniciativë që e mbështesim fuqimisht. Me Kosovën jemi një familje e ndarë me një kufi që nuk na pengon që të bëjmë më tepër dhe kur vjen puna të shkëmbimet tregtare kemi probleme. Haradinaj e tha në nëntor do të kemi mbledhjen e dy qeverive dhe kemi rënë dakord të kapërcejmë ngërçet e trashëguara në lidhje me doganat dhe ndërveprimet në këtë fushë”, u shpreh ai.
Kosova, si i vetmi vend qytetarët e të cilit nuk gëzojnë liberalizimin e vizave në rajon, e ka akoma më të vështirë dhe Ramush Haradinaj është në dijeni të kësaj.
“Për të komunikuar me Kroacinë na duhen viza. Më lehtë e kemi marrëdhënien me Shqipërinë dhe në gjysmën e dytë të nëntorit do të kemi takimin e dytë të qeverive për heqjen e barrierave doganore”, deklaroi Kryeministri i Kosovës.
Në kendvështrimin e Johannes Hahn, edhe për shkak të klimës dhe punës së nisur në kuadër të Procesit të Berlinit, qytetarët e rajonit jetojnë sot më mirë.
“Në vitin e fundit janë hapur 80 mijë vende të reja pune në të gjithë rajonin dhe tregtia është rritur. Kjo demonstron edhe potencialin ende të pranishëm në rajon që pret të shfrytëzohet që të përmirësohen kushtet ekonomike mes vendeve të rajonit, të heqim barrierat informale dhe formale. Të vijoj njohja e diplomave akademike dhe certifikatave. Duhet ta promovojmë rajonin si markë në nivelin global, personalisht do u bëja thirrje t’i kushtoni rendësi sektorit të energjisë. Rajoni ka më shumë mundësi për të qenë më shumë i vetëmbështetur për prodhimin e energjisë me kusht që të ketë bashkëpunim më të mirë”, tha ai.
Fiks një vit më parë zhvillohej një takim i ngjashëm informal, që mbërrinte një muaj e gjysmë pas Samitit të Triestes. Entuziazmi i këtij samiti u reflektua edhe në takimin që u zhvillua atëherë në kompleksin e Vilave Qeveritare në Durrës. Ndryshe nga takimi i këtij viti, ai i 2017 kishte më shumë gjallëri. Në të merrnin pjesë veç Kryeministrit Edi Rama edhe kryeministri i Kosovës në detyrë Isa Mustafa, kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ai i Malit të Zi, Dushko Markoviç si dhe kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, Denis Zvizdiç së bashku me komisionerin Johannes Hahn dhe Cyril Muller, zëvendëspresidenti i Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.