Futboll

Gjysmëfinalet e Kupës/ Tirana për “bis”, Kukësi kërkon të mbrojë trofeun

Kupa e Shqipërisë po vrapon drejt finishit, sepse koha është e limituar. Dy ndeshjet gjysmëfinale të saj zhvillohen sot në mbrëmje, në orare të ndryshme. Bylis-Tirana luhet në orën 17:45, ndërsa Kukësi dhe Teuta ndeshen në “Elbasan Arena” në orën 20:45, duke “përuruar” kështu futbollin e mbrëmjes vonë.

Tirana, e favorizuar pak edhe nga shorti, ka shansin të bëjë “bis” trofesh këtë sezon. Është shumë afër titullit kampion në Superiore, që për opinionin sportiv është thjesht një formalitet, ndërkohë që mundësitë për të shkuar në finale të Kupës së Shqipërisë i ka të mëdha. Trajneri Emanuel Egbo dhe drejtuesit e klubit e kanë thënë hapur se duan ta fitojnë edhe trofeun e dytë sezonal. Një rezultat pozitiv sot në Ballsh do t’i hapte rrugën kualifikimit për në finale, por kuptohet që Bylisi nuk do të hapë rrugë dhe pasi eliminoi Skënderbeun, synon të bëjë të njëjtën gjë edhe me kampionët e ardhshëm.

Nga një ndeshjes mes Kukësit dhe Teutës këtë sezon. Gazeta Si, 2 korrik 2020

Një ndeshje më e ekuilibruar pritet të jetë ajo mes Kukësit dhe Teutës. Kukësi është ekipi fitues në fuqi i trofeut të Kupës së Shqipërisë dhe presidenti Safet Gjici kërkon që të tijtë ta fitojnë sërish atë. Teuta është një nga skuadrat më në formë të momentit dhe një vend në Europë e kërkon si nga kampionati, ashtu edhe nga Kupa e Shqipërisë. Nuk parashikohet të ketë spektakël në ndeshjet e sotme, ku skuadrat janë më të interesuara për rezultatin dhe për më tepër vijnë jo pak të lodhura pas sfidave të kampionatit.

Kupa e Shqipërisë, gjysmëfinalet
Sot, ora 17:45
Bylis-Tirana
Ora 20:45
Kukësi-Teuta


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë