Politike

Gjysmë e vërteta e Edi Ramës

“Taulant Balla e publikoi vetë këtë gjë. Doli në media dhe lexoi letrën e atij”. Kështu deklaronte të enjten Kryeministrin Edi Rama i ftuar në emisionin Real Story, duke këmbëngul se kreu i grupit parlamentar socialist e bëri publike këtë para se të dilte intervista e Emiljano Nuhut.

“E dini ju kronologjinë apo jo?!”, u drejtohej ai gazetarëve në panel, të cilët iu kundërvunë duke i thënë se Balla doli pasi u bë publike intervista.

Edi Rama kishte pjesërisht të drejtë. Taulant Balla nuk publikoi asgjë para se intervista e Emiljano Nuhut të transmetohej nga Shijak TV, por një ditë më parë e paralajmëroi këtë.

Mbrëmjen e 25 qershorit, Taulant Balla ishte i ftuar në emisionin Top Shoë, përballë një paneli gazetarësh, ku në bisedë e sipër foli për nisjen e një “Babaleje” tjetër nga opozita.

“Dëgjojeni pasnesër. Do të dali Lulzimi me serinë katër të Babales. Seç ka gjetur një polic dhe i ka thënë atij policit që do të dalësh e do të thuash që Taulanti është i lidhur me filan bandë”, deklaronte deputeti socialist në Top Show.

Kaq ishte sinjalizimi i Taulant Ballës, që nuk dha asnjë detaj më tepër. Detajet u bënë publike një ditë më vonë rreth orës 13:00 dhe emri i policit u mësua që ishte Emiljano Nuhu. Në intervistën e realizuar nga gazetari Basir Çollaku, Nuhu akuzonte Taulant Ballën se së bashku me deputetin Rrahman Rraja dhe kreun e Bashkisë së Krujës, Artur Bushi e kishin kërcënuar në zyrë më 21 korrik për të mbyllur kallëzimin e Xhisiela Malokut ndaj Rexhep Rrajës, djalit të deputetit socialist, Rrahman Rraja.

Dy orë pas publikimit të kësaj interviste, Taulant Balla doli vetë para mediave, duke deklaruar se nuk ka shkelur kurrë as në komisariatin e Krujës dhe as në stacionin policor të Fushë-Krujës.

Pikërisht për rrjedhën kronologjike të ngjarjes, që foli Kryeministri Edi Rama në Real Story, reagoi Lulzim Basha përmes rrjeteve sociale. Basha akuzon Kryeministrin se gënjen për të mbrojtur deputetin e tij.

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/239638136729379/

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë