Mjedis

Gjysma e lumenjve të botës përmbajnë produkte farmaceutike

Kur mendon për ndotjen në lumenj, të vijnë në mendje produkte plastike si shishe dhe qese.

Por një studim i ri ka treguar se pothuajse gjysma e lumenjve të botës janë gjithashtu të mbushura me barna.

Studiuesit nga Universiteti i York-ut gjetën nivele të larta të barnave, duke përfshirë ilaçet kundër depresionit dhe qetësuesit e dhimbjeve në 43.5 për qind të 1052 lumenjve të testuar në 104 vende.

“Gjetjet tona tregojnë se një pjesë shumë e lartë e lumenjve në mbarë botën janë në rrezik nga ndotja farmaceutike”, tha Alejandra Bouzas-Monroy, bashkëautore e studimit.

Mbi 100,000 ton produkte farmaceutike konsumohen globalisht çdo vit, sipas Byrosë Europiane të Mjedisit (EEB).

Gjatë prodhimit, përdorimit dhe asgjësimit të tyre, barnat farmaceutike lëshohen në lumenj, ku ato kanë potencialin të ndikojnë negativisht në organizma, duke përfshirë peshqit dhe bimët ujore.

"Ky është vlerësimi i parë global i ndikimeve të barnave dhe produkteve farmaceutike tek lumenjtë”, tha Bouzas-Monroy.

Vendet me nivelet më të larta të barnave ndodheshin në Afrikë, me një lumë në Nairobi që kishte nivelet më të larta nga të gjitha vendet, sipas studiuesve.

Në Azi, nivelet më të larta ishin në Lahore, në Amerikën e Jugut ato ishin në La Paz dhe në Europë ishin në Tubingen, Gjermani.

Studiuesit shpresojnë se gjetjet e tyre do të inkurajojnë vendet që të ndërmarrin veprime për të trajtuar ndotjen farmaceutike në lumenjtë anembanë botës.

"Në përgjithësi, rezultatet tregojnë se ndotja farmaceutike është një problem global që ka të ngjarë të ndikojë negativisht në lumenjtë e botës", përfundoi ekipi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë