Futboll

Gjysma e ekipit me shqiptarë, Lokomotiv Zagreb shkon në finale me gola kuqezi

Lokomotiva e Zagrebit në Kroaci tashmë identifikohet si skuadra e shqiptarëve. Në ndeshjen gjysmëfinale të Kupës së Kroacisë me Slaven Belupo ishin plot 5 lojtarë shqiptarë titullarë: mbrojtësi Jon Mersinaj, mesfushorët Enis Çokaj dhe Lirim Kastrati (luan për Kosovën) dhe sulmuesit Myrto Uzuni e Indrit Tuci. Festa në fund ishte e gjitha për ta, pas fitores 1-3 në transfertë.

Kanë realizuar në këtë dy ndeshje dy nga futbollistët shqiptarë, Çokaj, i cili barazoi rezultatin, dhe Uzuni që “vulosi” fitoren e Lokomotivës në kohën shtesë në 1-3. Për sulmuesin beratas ishte një fitore dhe një gol i veçantë, pasi sot feston 25-vjetorin e lindjes. Është për t’u veçuar fakti se trajneri Tomiç e ka aktivizuar Uzunin në një pozicion të ri, pas dy sulmuesve, edhe pse ai luan gjithmonë në krah. Lojtari i Kombëtares ishte premtuar gol në një intervistë para ndeshjes dhe e mbajti fjalën.

Golat e shqiptarëve të Lokomotivës i kanë shijuar nga tribuna edhe trajneri i kombëtares kroate, Zllatko Daliç, ish-trajneri i Dinamos në Shqipëri, si dhe presidenti i Federatës Kroate të Futbollit, Davor Shuker.

Daliç dhe Shuket, duke ndjekur ndeshjen. Gazeta Si, 31 maj 2020

Lokomotiv Zagreb është shumë pranë fitimit të një trofeu. Në finalen e Kupës së Kroacisë, ajo do të ndeshet me fituesin e çiftit Rijeka-Osijek. Për 5-shen shqiptare të Lokomotivës gjërat po shkojnë shumë mirë, të gjithë luajnë titullarë dhe po e ndihmojnë këtë skuadër të qëndrojë në nivele të larta. Edhe më parë te Lokomotiva shqiptarët kanë qenë protagonistë, mjafton të kujtojmë Eros Grezdën dhe Endri Çekiçin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë