Lajme

Gjyqi me Ballën, Gjykata dënon Lulzim Bashën për shpifje

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dënohet nga Gjykata e Tiranës për shpifje dhe me një gjobë prej 50 mijë lekësh të reja. Ky ka qenë vendimi i dhënë nga kjo gjykatë, e cila shqyrtoi padinë e depozituar nga sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla. Gjyqtari që dha vendimin ishte Gerd Hoxha.

Balla kontestoi deklaratën e dhënë nga Basha në Parlament në lidhje me 3.4 milionë euro të kapura në Portin e Durrësit, verën e 2018-ës, ku ai akuzoi socialistin për lidhje me këtë aferë.

“Ky vendim i gjykatës është historik për të cilën ne politikanët duhet të reflektojmë gjatë. I pari është Basha që është shpallur fajtor penalisht dhe i detyrohet shtetit të shlyejë dënimin që dha gjykata. E dyta, them që do i kërkoj Bashës dhe PD që të heqin dorë nga kjo politikë bajate e bazuar tërësisht në shpifje dhe ky vendim gjykate të jetë një moment që dhe PD të reflektojë në marrëdhënien ndërinstitucionale që ka me maxhorancën, apo kuvendin, ku opozita të ketë tjetër qasje ndaj Kuvendit dhe të ushtrojë përgjegjësinë e vet dhe Kuvendi është vendi ku opozita duhet të ushtrojë kontrollin ndaj çdo institucioni”, deklaroi Balla pas daljes nga Gjykata.

Një koincidencë e cilëson Balla, pasi kryedemokrati merr këtë dënim penal pikërisht më 21 janar, ditë që kur socialistët përkujtojnë viktimat e protestuesve të saj të vrarë 8 vite më parë në Bulevardin kryesor përpara Kryeministrisë, kohë kur Lulzim Basha ishte Ministër i Brendshëm.

“Drejtësia e re do të jetë ajo që do ta hetojë si duhet krimin shtetëror të 21 janarit 2011 dhe do të jetë gjykata si institucion i pastruar e që ka kaluar Vettingun për të dhënë vendimet e merituara të autorëve dhe fajtorëve të krimit shtetëror të 21 janarit. Ai krim - të jeni të sigurt - që do të hetohet dhe ndëshkohet”, theksoi Balla kur u pyet për mosdhënies e drejtësisë as sivjet për 4 viktimat e kësaj proteste.

Por vendimi i Gjykatës është cilësuar nga dy avokatët mbrojtës të Bashës, si shkelje e hapur dhe paralajmërim për krijimin e një gjykate-polici.
“Vendim nën presionin e vettingut. Gjykata ka dhënë një vendim që bën të qeshë çdo njeri që lexon vendimin. Gjykata ka asgjësuar dhe zëvendësuar organin e Prokurorisë me Policinë e Taulant Ballës, mjafton që Policia e tij të thotë që Balla nuk ka përgjegjësi me milionat e eurove të drogës dhe nuk ka rëndësi se çfarë hetimi dhe përfundimi nxjerr Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ky është vendimi që tentoi në kundërshtim flagrant të tregonte personit të akuzuar se kush ishin burimet e informacionit që informonin opozitën. Kujtoj rastin e komisar Zaganit që u dënua për shpifje se shpifi ndaj Tahirit. Do ta ankimojmë vendimin e gjykatës”, tha avokati i Bashës, Gazment Bardhi.

"Barrën e provës për të vërtetur që akuza e bërë nga Basha e ka ai që luan rolin e prokurorit dhe barrën e provës kjo gjykatë qesharake ia kaloi Bashës. Nuk ka rëndësi se çfarë përfundimi thotë Prokuroria e Krimeve të Rënda për çështjen në hetim, ky është vendimi i sotëm i Taulant Ballës, që i kërkonte se kush ishin burimet e informacionit kreut të PD-së”, deklaroi Gazment Bardhi,
Sipas tij, vendimi erdhi nga frika e gjyqtarëve që janë në proces vettingu.

“Nuk do të ketë as gjyqtar të korruptuar ose të pakorruptuar ose me vetting për vete apo për gruan në proces, që mund të ndalë opozitën të thotë të vërtetën për inkriminimin e qeverisë. Cilido që e lexon e vendimin, e sheh se ai ka asgjësuar sistemin e drejtësisë. Ndërkohë që edhe ka edhe një institucion të prokurorisë që ka nisur hetime në këtë proces”, theksoi Bardhi.

Procesi gjyqësor nisi nga deklaratat e kryedemokratit Lulzim Basha nga foltorja e Parlamentit. Në 21 korrikun e vitit të kaluar, Basha do t'i drejtohej Taulant Ballës me këto fjalë: “Qesh ti qesh, zgërdhiu! Ai që po zgërdhihet më shumë ka qenë para tri ditëve në Shqipëri. Ai zgërdhitësi ka marrë “Toyota Yaris”-in. Por t’u zbulua "Toyota", bashkë me 1.5 milion euro të drogës brenda. Sepse zgërdhitësi thoshte s’kemi probleme, s’kemi drogë, reformat po ecin, krimi po luftohet, ekonomia po ecën, ku në fakt e vërteta është ajo që di çdo shqiptar e nuk ka nevojë ta thotë opozita”. Tre ditë më pas, policia do të organizonte operacionin në Portin e Durrësit ku do të sekuestroheshin në makinat e markës "Toyota Yaris", 3,4 milionë euro nga policia. Për këtë, Basha pati deklaruar se informacionin e pati marrë nga shërbimet e huaja partnere, pa i përmendur se cilat ishin ato.

Balla paraqiti padi penale për shpifje dhe kërkoi dënim për nxjerrje të sekretit hetimor. I gjithë procesi zgjati tre muaj deri në marrjen e vendimit të sotëm të Gjykatës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë