Trend

Gjymtimi i qenve: Pronarët po u presin veshët për të ndjekur trendin në mediat sociale

Një hetim i BBC ka zbuluar se shumë pronarë qensh në Europë po u presin atyre veshët për shkak të një trendi të ri në rrjetet sociale.

Prerja e veshëve përfshin heqjen e një pjese të veshit për arsye kozmetike.

Gjatë hetimit, një pronar qeni i ofroi një gazetari të fshehtë të BBC-së, një qenush për 13,000 paund dhe foli për prerjen e veshëve të qenve, një praktikë e cila është e ndaluar sipas Aktit të Mirëqenies së Kafshëve.

Paula Boyden, nga Shoqata Dogs Trust, tha se nuk kishte "asnjë justifikim" për praktikën dhe kjo mund t'i lërë qentë me probleme shëndetësore dhe të sjelljes.

"Disa kafshë më pas vazhdojnë të zhvillojnë infeksione ose nuk u pëlqen që njerëzit t'i prekin veshët e tyre," tha ajo.

"Ne kemi parë gjithashtu probleme të sjelljes sepse qentë komunikojnë me veshët e tyre dhe pa to ata mund të kenë vështirësi ta bëjnë këtë me pronarët e tyre ose qentë e tjerë".

BBC gjurmoi një numër të madh pronarësh që postojnë imazhe të qenve me veshë të prerë në internet.

Një pronar, Moheiz Adam, tha se ishte "turp" që ndërhyrja është e paligjshme pasi u jep qenve një "pamje të mrekullueshme".

Duke komentuar provat e BBC-së, Daniella Dos Santos, ish-presidente e Shoqatës Britanike të Veterinarisë (BVA), tha se ishte "shkatërruar" nga ajo që u zbulua.

“Prerja e veshëve është një gjymtim i paligjshëm që bëhet për asnjë arsye tjetër veçse... arsye kozmetike dhe e gjithë biseda gjatë gjithë kohës ka qenë se si duken këta qen.

"Kjo është e gjitha për trend në rrjetet sociale. Nuk ka fare përfitime shëndetësore për këta qen".

Postimet në rrjetet sociale

Vanessa Waddon, nga shoqata bamirëse e shpëtimit të qenve ‘Hope’, është kujdesur për këlyshët që janë gjymtuar, pasi ata u shpëtuan nga pronarët e tyre.

Ëaddon thotë se ka frikë se rritja e këtij trendi po nxitej nga përdoruesit e mediave sociale që postonin imazhe të qenve me veshë të prerë, duke përmendur futbollistin Marcus Rashford, këngëtaren e Little Mix Leigh-Anne Pinnock dhe Jack Fincham të Love Island.

“Sa herë që të famshmit postojnë gjëra në internet, njerëzit në mënyrë të pashmangshme mendojnë ‘oh ai qen duket bukur, ndoshta do të marr një të tillë”, tha ajo duke shtuar se çmimi i qenve me veshë të prerë është rritur me 1500 euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë