Lajme

Brenda ditës gjykatat lirojnë dy anëtarë të dy bandave rivale në Elbasan, reagon policia

Në të njëjtën ditë që Gjykata për Krimet e Rënda në Tiranë shpallte të pafajshëm Suel Çelën, i dyshuar si anëtar i një grupi të strukturuar kriminal në Elbasan, Gjykata e Elbasanit shpalli të pafajshëm Florenc Çapjan, i dyshuar si pjesë e një grupi kriminal rival me grupin e Çelës.

Por, lirimi i Florenc Çapjas u eklipsua nga vendimi i pafajësisë së Suel Çelës, për vetë faktin se Çela po gjykohej për një ngjarje të bujshme të ndodhur në qytetin e Elbasanit rreth dy vite më parë, ku një automjet i blinduar tip Audi goditi makinën e policisë. Gjykata liroi Çelën me arsyetimin se prokuroria nuk kishte arritur që të provonte praninë e tij në këtë ngjarje.

Po për mungesë provash u lirua edhe Florenc Çapja në Elbasan. Ai u arrestua në muajin qershor pas një aksioni të bujshëm të Forcave RENEA dhe FNSH-së, ku në pranga përfunduan disa persona. Akuzat që rëndonin ndaj tij ishte ajo e vrasjes dhe e pengmarrjes, që të dyja të rrëzuara më pas.

Bëhet fjalë për dy vendime që shfryjnë tollombacen e dy operacioneve të bujshme të policisë, ndaj uniformat blu kanë reaguar për të dyja këto raste.

“Gjyqtari Kullolli ka vendosur pushimin e çështjes penale nr. 40, viti 2006, për veprat penale “Vrasja me paramendim mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, në ngarkim të të pandehurit Florenc Çapja. Gjatë veprimeve hetimore të kryera në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, gjatë vitit 2018 dhe 2019, është bërë i mundur dokumentimi me prova ligjore i kësaj ngjarjeje dhe më pas Gjykata ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg” për shtetasin e dyshuar si autor, Florenc Çapja”, thotë policia.

Policia kujton se në dy raste që Florenc Çapja ka apeluar vendimin për masën e sigurisë arrest me burg, gjykatat e kanë refuzuar. Sipas policisë, kur Prokuroria ka kërkuar kalimin e çështjes për gjykim, gjyqtari Tomor Kullolli e ka refuzuar.

“Ai e ka mbajtur dosjen për rreth një muaj e gjysmë në shqyrtim dhe dje në datën 20.11.2019, me shkurtimin e vendimit (13-2019- 6855) ka vendosur pushimin e çështjes penale nr. 40, vitit 2006, për veprat penale “Vrasja me paramendim mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim" dhe "Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, në ngarkim të të pandehurit Florenc Çapja”, thotë Policia.

Policia kujton se Florenc Çapja është i dyshuar si një nga drejtuesit e një grupi të rrezikshëm kriminal që vepron në qarkun e Elbasanit.
“I arrestuar shumë herë për vepra të rënda penale, por që ka arritur të lirohet dhe t'i shpëtojë ndëshkimit në sajë të këtyre vendimeve arbitrare të organeve të drejtësisë, të paligjshme”, deklaron Policia.

Vendimi nuk është i formës së prerë dhe ai mund të apelohet. Por, policia thotë se nuk mund të lihet i lirë një person me rrezikshmëri kaq të lartë shoqërore.

Në të njëjtën deklaratë, policia ndalet tek rasti i Suel Çelës, njohur edhe si Marjus Lulaj. Ai u la i lirë pas një vendimi të gjyqtarëve Klodian Kurtishi, Fran Prendi dhe Sandër Simoni për faktin se nuk provohej prania e tij në vendingjarje në momentin që Audi i blinduar godet makinën e policisë dhe rrezikon jetën e një efektivi që ndodhej jashtë kësaj makine. Policia nga ana tjetër është e bindur që autor ishte Suel Çela.

“I kërkuari Marjus Lulaj (Suel Çela) më datë 10.09.2017, rreth orës 20:00, pranë derës së tregut agro-ushqimor në Kusarth, Elbasan, në bashkëpunim me shtetasit Enea Bekteshi dhe Kelmend Xhaferri tentoi të vrasë me anë të goditjes me makinë punonjësit e Policisë Shtetit, që u gjendën në makinën e tyre në ushtrim të detyrës”, thotë policia.

Policia e konsideron edhe Çelën person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

“Drejtues i një grupi kriminal të rrezikshëm që operon në qarkun e Elbasanit, por edhe më gjerë, i hetuar dhe i arrestuar disa herë për një sërë veprash të rënda kriminale, por që dyshohet se me forma korruptive ka arritur të depërtojë në sistemin e drejtësisë dhe t'i shpëtojë ndëshkimit ligjor”, thonë uniformat blu.

Megjithatë, ndryshe nga Florenc Çapja, Suel Çela është në arrest me burg për dy vepra të tjera penale.

“Policia e Shtetit shpreh zhgënjimin e thellë për këto dy vendime të paligjshme, të cilat i japin krah krimit dhe synojnë të frenojnë punën e saj, por ajo është e vendosur për të luftuar pa kompromis krimin e organizuar dhe krimin në tërësi”, thotë deklarata e policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë