Lajme

Gjykata vendos 10 ditë burg për pedagogun e Elbasanit

Gjykata e Elbasanit ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” me 10 ditë për pedagogun e Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Denis Himçi, ndërkohë që prokuroria kishte kërkuar si masë sigurie, arrest me burg pa afat.
Gjykata ka vendosur në mungesë të tij masën e sigurisë, pasi ai ndodhet në spital. Pasi është arrestuar, ai ka pasur probleme me zemrën.
Pedagogu u vu në pranga, pasi u denoncua nëpërmjet një video në një emision investigativ, ndërsa i kërkonte favore seksuale një studenteje, në këmbim të notës.
Prokurori Bledar Mustafaj e cilësoi të ligjshëm ndalimin e tij dhe kërkoi caktimin e masës “arrest me burg” për të. Ndërkohë, gjyqtari i çështjes, Bujar Musta, vendosi ta lërë vetëm 10 ditë në burg pedagogun Himçi.
Ai akuzohet për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë