Rend dhe Ligj

Gjykata urdhëron shoqërimin me forcë të Gazment Bardhit

Gjykata e Tiranës ka urdhëruar të martën që Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi të sillet forcërisht në gjyqin ku po shqyrtohet dosjen “Babale”, çështje e cila tronditi klasën politike shqiptare.
Mësohet se e njëjta masë është kërkuar dhe nga Prokuroria, pasi sipas tyre numri dy i PD-së është njoftuar dy herë për të dëshmuar në këtë gjyq, por heziton të paraqitet.
Gjithashtu, prokurorët e çështjes kërkuan shoqërimin me forcë edhe të prokurorit të Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj. Për këtë, Gjykata vendosi ta njoftojë sërish seancën tjetër, si dhe ju kërkua drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda të vërë në dispozicion informacione për angazhimin e Hajdarmatajt gjatë ditës së sotme, rreth orës 12:00. Kjo pasi, prokurori paraqiti në seancën e sotme një shkresë, ku thoshte se nuk mund të paraqitej për të dëshmuar në seancën e sotme pasi ishte i angazhuar në një gjyq në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Sot, pritej te dëshmonte edhe Ylli Rakipi, botues i portalit TPZ, i cili gjithashtu nuk është paraqitur për shkak se ndodhej jashtë shtetit.
Tre shtetasit e mësipërm pritej të dëshmonin sot në Gjykatën e Tiranës, për të ashtuquajturën dosja “Babale”. I pranishëm në seancë ishte i pandehuri Fredi Alizoti. Çështja Babale mori një bujë politike vitin e kaluar, ndërsa të pandehur kanë përfunduar edhe ish- deputeti i PD-së, Ervin Salianji, gazetari Jetmir Olldashi dhe Albert Veliu, i ashtuquajtur me nofkën Babale. Në audiopërgjigjmet e nxjerra pretendohej se Agron Xhafaj, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj bisedonte me “Babalen”, për të transportuar disa kile drogë, kanabis sativa drejt Italisë. Kjo u cilësua si pavërteta nga ekspertiza e huaj e kryer dhe se prokuroria ka nisur hetim ndaj atyre personave që nxorën këtë akuzë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë