Gjykata e Krimeve të Rënda la në fuqi masën e ndalimit “arrest shtëpie” për ish ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, por kanë reaguar si mbrojtja ashtu edhe organi i akuzës, pasi deklaruan se do ta apelojnë vendimin.
Nga ana e tyre, dy prokurorët e çështjes Besim Hajdarmataj dhe Vladimir Mara thanë se masa e sigurisë “arrest shtëpie” është e domosdoshme pasi rrezikohet prishja e provave, por vetë ish ministri Tahiri i ka kundërshtuar duke mohuar prishjen e provave nga ana e tij.
“Meqë qenkam kaq i rrezikshëm fusni të gjitha grupet kriminale në burg dhe faturojani Saimir Tahirit. Më lini në arrest në burg, pasi masa që keni vendosur është e papërshtatshme me akuzat. Ju argumentoni se unë kam aftësi të dëmtoj e të prish provat, kjo nuk është e vërtetë dhe është e pamundur. Të njëjtin argumentim keni dhënë edhe më herët në vendimin kur shpallët bllokimin e pasaportës. Po ndiqni të njëjtin kriter si kur isha deputet dhe tani si qytetar i lirë. Ju thoni se ekziston rreziku i ikjes, nuk ka asnjë mundësi që unë të largohem. Gjatë kohës që më është kthyer pasaporta, kam lëvizur disa herë jashtë vendit dhe jam kthyer sërish në Shqipëri. Unë mandatin e dorëzova vullnetarisht dhe jam i hapur për drejtësinë, dhe për të parë drejtësinë në sy” - mësohet të ketë thënë Tahiri gjatë seancës për rivlerësimin e masës së sigurisë.
Në seancën me dyer të mbyllura, mësohet së Hajdarmataj e ka cilësuar të domosdoshme masën “arrest shtëpie” për Tahirin.
“Ka raste që është vërtetuar se disa prova janë prishur dhe rrezikon mundësia të prishen edhe prova të tjera, pasi ka persona të tjerë që nuk janë marrë në pyetje”- është shprehur prokurori duke iu referuar dëshmisë së një personi që ka në pronësi një mjet të përdorur nga Tahiri në Greqi për të cilin tha “Ky shtetas pasi është marrë në pyetje nga Prokuroria ka pasur një kontakt me ish-ministrin”.
Tahiri ka reaguar ndaj deklaratës së Hajdarmataj duke sqaruar “Me personin në fjalë kam kontaktuar, por për t'a falenderuar dhe për t’i kërkuar ndjesë, që është bërë objekt i marrjes në pyetje nga organi i akuzës”.
Ish kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj mësohet të ketë thënë se do ta apelojnë vendimin në Gjykatën e Apelit, duke kërkuar vendosjen e masës “arrest në burg” për Tahirin.
Pas seancës në Gjykatën e Krimeve të Rënda, Maks Haxhia, avokati mbrojtës i Tahirit u shpreh i bindur se pas apelimit, Gjykata e Apelit do ta prishë vendimin, pasi prokuroria nuk kishte asnjë provë të re që të implikonte me dyshime të arsyeshme të bazuara në prova implikimin e Tahirit në ndonjë vepër penale, përfshirë dhe ato të akuzës.
"Prokurori tha se duhet të arrestohet zoti Tahiri pasi mund të ndërhyjë në zyrën time duke prishur provat" - tha avokati Maks Haxhia para mediave duke ironizuar prokurorin e cështjes, Hajdarmataj.
Haxhia foli edhe për pronarin e skafit me të cilën ka udhëtuar Tahiri.
“Skafi me të cilin ka udhëtuar Tahiri me familjen e tij në Greqi është i një biznesmeni që ia ka marrë hua dhe pasi ka pësuar defekt është kthyer në Shqipëri. Skafi është i blerë sipas të gjitha rregullave. Në drejtësi nuk ka ti thua, unë them, ka unë provoj me argumenta këtë pretendim. Një gjë e tillë nuk është provuar” u shpreh avokati Maks Haxhia për mediat duke shtuar se gjithçka është bërë për të denigruar figurën e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Ish ministri i Brendshëm ndodhet nën masën e ndalimit “arrest shtëpie” që nga 12 maji, pasi prokuroria e akuzon për trafik të narkotikëve në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetëror në kuadër të hetimeve për dosjen "Habilaj".
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.