Politike

Gjykata Kushtetuese rrëzon Kuvendin për Xhaçkën, pranon padinë e grupit të Alibeajt

Gazeta Si - Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar sot Kuvendin për çështjen e Olta Xhaçkës dhe ka pranuar padinë e grupit të Alibeajt. Gjykata ka shpallur antikushtetues vendimin e socialistëve për të mos e çuar në Gjykatën Kushtetuese legjitimitetin e mandatit të deputetes për ministren e jashtme.

Padia e grupit të Berishës është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese me argumentin se përpara shqyrtimit të legjitimitetit të mandatit duhet të shprehet kuvendi.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese në datën 18.01.2023, në orën 10:00, mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me nr. 9 (NJ) 2022 Regjistri Themeltar, me kërkues jo më pak se 1/10 e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, me objekt: “Zgjidhja e konfliktit të kompetencave ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt, jo më pak se 1/10 e deputetëve.

Deklarimi i vendimeve nr. 83, datë 17.11.2022 “Për mosmiratimin e raportit të pakicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” dhe nr. 84, datë 17.11.2022 “Për miratimin e raportit të shumicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” të Kuvendit të Shqipërisë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, në mbështetje të neneve 131, shkronja “ç”, si dhe të neneve 54, 55, 56, 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,

VENDOSI:
1.Pranimin e kërkesës.
2.Zgjidhjen e konfliktit/mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt, jo më pak se 1/10 e deputetëve.

3.Shfuqizimin e vendimeve nr. 83, datë 17.11.2022 “Për mosmiratimin e raportit të pakicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” dhe nr. 84, datë 17.11.2022 “Për miratimin e raportit të shumicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” të Kuvendit të Shqipërisë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë