Politike

”E pranoj, s’e pranoj”, debati në pikën e fillimit. Çfarë dihet për mandatin e Olta Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese

Kolegji i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese mori dy vendime të ndryshme (me thelb të njëjtë) për dy padi të zhvilluara në seanca të ndara për pretendimet e palëve brenda PD lidhur me mandatin e deputetit për ministren e Jashtme, Olta Xhaçka, pasi bashkëshorti i saj, Artan Gaçi u shpall “investitor strategjik” nga qeveria.

Në gjykatë u paraqitën dy kërkesa nga deputetët e opozitës, të cilat Kushtetuesja i shqyrtoi në seanca të ndara në një kohë rekord brenda ditës (rreth tetë orë).

Gjykata Kushtetuese pranoi kërkesën e 1/10 së deputetëve të Kuvendit, përfaqësuar nga grupi ”Alibeaj” e cila kishte dy objekte; zgjidhjen e konfliktit të kompetencave mes Kuvendit dhe deputetëve dhe deklarimin si antikushtetues të vendimeve të Kuvendit për mosdërgimin në Gjykatën Kushtetuese të interpretimit të papajtueshmërisë së mandatit të deputetes socialiste.

Kushtetuesja e pranoi kërkesën e grupit “Alibeaj” dhe për pasojë detyrimin e Kuvendit për ta çuar në Kushtetuese mandatin e Xhaçkës. Avokati Marash Logu që përfaqësoi grupin e “Alibeajt” ka deklaruar se PD-ja ka prova të qarta që faktojnë arsyet e heqjes së mandatit të Xhaçkës.

Brenda 24 orësh , Gjykata Kushtetuese mori një vendim të dytë. Kolegji rrëzoi padinë e firmosur nga pala e Berishës e firmosur nga 28 deputetë të tjerë që kishte dy objekte; shpalljen antikushtetues të vendimeve të Kuvendit si dhe kërkesën për shqyrtim në themel të çështjes së papajtueshmërisë së mandatit të Xhaçkës.

Avokatët e palës paditëse pretenduan se Gjykata nuk ka pse ta kthejë sërish në Kuvend këtë debat, me argumentin se çështja mund të zvarritet (duke kaluar në një spirale vendimesh), por ta shqyrtojë atë në themel dhe të marrë vendim nëse ka shkelje të dispozitave kushtetuese nga deputetja Xhaçka.

Kushtetuesja nuk e pranoi kërkesën e tyre duke ia lënë Kuvendit të delegojë çështjen.

Deputeti Agron Shehaj tha se me këtë vendim Gjykata Kushtetuese shtyu gjykimin mbi papajtueshmërinë dhe vendosi të zgjasë mandatin e deputetes Xhaçka.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë