Rend dhe Ligj

Gjykata Kushtetuese, Meta shpall vendin vakant për anëtar

Presidenti Ilir Meta hap garën për plotësimin e një vendi vakant si anëtar në Gjykatën Kushtetuese, pas përfundimit të mandatit të anëtares Altina Xhoxhaj, e cila u shkarkua nga sistemi i drejtësisë, si pasojë e procesit të vettingut. Kolegji i Posaçëm i Apelimit mori vendimin final më 24 tetor të vitit shkuar. Presidenca bën të ditur se është njoftuar nga ana e Gjykatës Kushtetuese, se më datë 25.05.2019 në ëtë institucion do të krijohet një vakancë e plotë, për shkak se kjo datë konsiderohet rregullisht si moment i përfundimit të mandatit 9-vjeçar që do të mund të ushtrohej nga ish-gjyqtarja e kësaj gjykate znj. Altina Xhoxhaj apo nga gjyqtari që plotëson vakancën e parakohshme pas shkarkimit të saj. Presidenti ka lënë si afat 25 marsin si afatin e fundit për dorëzimin e dokumentacionit të gjithë të interesuarve për këtë vend të shpallur.

Sipas nenit 125 të Kushtetutës, Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet të kenë arsim të lartë juridik, të paktën 15 vjet përvojë pune si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, profesorë ose lektorë të së drejtës, nëpunës të nivelit të lartë në administratën publike, me një veprimtari të spikatur në fushën e së drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në sfera të tjera të së drejtës. Gjyqtari nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në një parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit. Kritere të tjera, si dhe procedura për emërimin dhe zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese rregullohen me ligj.

Neni 7/a i ligjit “Për Gjykatën Kushtetuese” kriteret për emërimin e anëtarit janë këto kushte:. a) të ketë zotësi të plotë për të vepruar; b) të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë; c) të mos ketë ushtruar funksione politike në administratën publike dhe të mos ketë mbajtur pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 viteve të fundit nga data e kandidimit; ç) të mos jetë në procedim penal dhe të mos jetë dënuar me burgim për kryerjen e një vepre penale; d) të mos jetë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi; dh) të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit.

Gjithashtu kushte të tjera janë që kandidati duhet të jetë vlerësuar për aftësitë profesionale dhe integritetin etik e moral.
Kjo është hera e dytë që Presidenti shpall vakancën e krijuara për gjyqtaren Altina Xhoxhaj. Shpallja e parë u bë në nëntor të 2018. “Shpalljen e procedurës së aplikimit për emërim gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, për plotësimin e “Vakancës së parakohshme” të krijuar nga përfundimi përpara kohe i mandatit, të ish-gjyqtares Znj. Altina Xhoxhaj, sipas vendimit nr. 9, datë 24.10.2018, të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit”, thuhet në njoftimin e 9 nëntor 2018.
Por siç duket mbyllja e mandatit për jo më shumë se një vit i Xhoxhajt ka sjellë edhe dështimin e përpjekjes së Presidentit për të paraqitur një kandidaturë për anëtar të Gjykatës Kushtetuese.
Vettingu shkarkoi nga detyra gjyqtaren kushtetuese, Altina Xhoxhaj pas 23 viteve karrierë të nisur në gjyqësor në Shkallën e Parë të Tiranës, e të vazhduar më tej në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, si edhe të mësimdhënies atje ku përgatiten brezat e gjyqtarëve e prokurorëve.

Anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj

Nga procesi i Vettingut, Vitore Tushaj është anëtarja e vetme e Gjykatës Kushtetuese që e ka kaluar këtë proces të gjithë anëtarët e tjerë që nga kryetari Bashkimi Dedja janë shkarkuar ose kanë dhënë dorëheqjen nga ushtrimi i detyrës, duke iu shmangur procesin kalimtar të verifikimit. Por Tushajt, i ka mbaruar mandati qëndron në detyrë deri në zëvendësimin e anëtarit, si pjesë e detyrimit ligjor.
Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë. Sipas nenit 125 të Kushtetutës, 3 anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Anëtarët përzgjidhen ndërmjet kandidatëve të renditur në tri vendet e para të listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, sipas ligjit. Kuvendi zgjedh gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese me jo më pak se tri të pestat e të gjithë anëtarëve të tij. Nëse Kuvendi nuk zgjedh gjyqtarin brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kandidati i renditur i pari në listë shpallet i emëruar Edhe Kuvendi ka hapur garën për plotësimin e vakancës, por deri më tani nuk ka avancuar në lidhje me këtë proces.

Kriteret plotësuese për qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese
a) vjetërsisë në profesion, 15 vite;
b) përvojës së veçantë të kandidatit në një fushë të caktuar të së drejtës, ose këshilltar ligjor i Gjykatës Kushtetuese a Gjykatës së Lartë;
c) kualifikimeve pasuniversitare dhe trajnimeve në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në një fushë tjetër të së drejtës;
ç) treguesve shkencorë, ku përfshihen botimet dhe artikujt shkencorë në fushën juridike;
d) ecurisë gjatë kryerjes së arsimit të lartë juridik, me një mesatare notash jo më pak se 8 ose të barasvlershme me të, nëse arsimi i lartë është përfunduar jashtë vendit ose vlerësimit përfundimtar në Shkollën e Magjistraturës;
dh) informacioneve të marra nga institucione të tjera publike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë