Sport

Gjykata kthen padinë e Panuçit për ish-presidentin Nishani

Padia e trajnerit të Kombëtares, Kristian Panuçi, për ish-presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani, është kthyer nga Gjykata e Tiranës. Gjyqtarja Anila Karanxha, e ngarkuar për këtë çështje, ka evidentuar probleme në formulimin e padisë së depozituar në Gjykatë nga trajneri i ekipit përfaqësues të futbollit, i cili kërkon 100 mijë euro dëmshpërblim.

Trajneri italian e akuzon ish-presidentin Bujar Nishani për fyerje, pasi ish-kreu i shtetit e kishte quajtur atë sharlatan në një postim të tij pas humbjes së thellë me Kosovën në një ndeshje miqësore.

Trajneri Panuçi ka folur me diplomaci për këtë çështje në konferencën e fundit për shtyp, ku theksoi se njerëzit duhet të kenë respekt për punën e të tjerëve. Tani trajneri Panuçi duhet ta riformulojë padinë e tij për ish-presidentin Nishanin dhe këtë duhet ta bëjë brenda afatit ligjor, që është 20 ditë. Nëse nuk e bën, padia rrëzohet automatikisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë