Treg

Gjykata i jep të drejtë Konkurrencës: FSHF abuzon me të drejtat televizive, reklamat dhe sponsorizimet

Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka vendosur sot, (e hënë) lënien në fuqi të Vendimit të Komisionit të Konkurrencës të majit 2020 “Për konstatimin e abuzimit me pozitën dominuese të Federatës Shqiptare të Futbollit, në lidhje me aktivitetin ekonomik që zhvillon, dhe dhënien e kushteve dhe detyrimeve” si vendim të bazuar në prova dhe në ligj.

FSHF sipas hetimit të Autoritetit të Konkurrencës ka abuzuar me monopolin e saj në organizimin e aktiviteteve futbollistike në Shqipëri. Të drejtat televizive ekskluzive, sponsorizimet dhe reklamat jepen te kompani të lidhura me presidentin Armand Duka dhe me ortakët e tij në biznes. Vendimi i Konkurrencës kërkon ndërprerjen e menjëhershme të këtyre praktikave dhe paralajmëron FSHF-në me vendosje gjobe.

Autoriteti i Konkurrencës në 14 maj 2020, pas një hetimi të thelluar do të arrinte në përfundimin se Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) po abuzon me pozitën dominuese në shitjen e të drejtave televizive, reklamave, sponsorizimeve dhe në përcaktimin e çmimeve të biletave të ndjeshjeve të ekupit kombëtar.

Megjithatë, edhe pse ka evidentuar një sërë shkeljesh të rënda të ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, institucioni i pavarur nuk e ka gjobitur FSHF-në, sipas kërkesave të ligjit, por ka urdhëruar FSHF-në të plotësojë disa detyrime.

Konkurrenca do të konkludonte pak muaj më parë se abuzimi me pozitën dominuese është bërë nga shitja e të drejtës audiovizive tek një operator i vetëm për një periudhë 7-vjeçare, duke përfshirë në një paketë të vetme të gjitha të drejtat ekskluzive.

Sipas vendimit tw muajit maj tw Autoritetit tw Konkurrencws, prej vitit 2015, të drejtat e aktiviteteve kryesore kombëtare, Superliga dhe Kupa e Shqipërisë, i janë shitur me një kontratë të përbashkët dhe ekskluzive një platforme, fillimisht me një kontratë tre vjeçare, e më pas me një kontratë të re katërvjeçare.

Në vlerësimin e kontratës së të drejtës televizive, Autoriteti i Konkurrencës i është referuar praktikave të ndjekura nga Komisioni Europian lidhur me këto paketa. KE ka përcaktuar se të drejtat ekskluzive duhet të reduktohen në fushëveprim dhe në kohëzgjatje.

Lidhur me vlerësimin e sjelljes në lidhje me çmimin e biletave, vendimi citon se, në mungesë të një modeli të kostos të detajuar të shërbimeve, është përdorur alternativa krahasuese si një nga metodat kryesore të hetimit atë të krahasimit me vende të tjera të rajonit.  Çmimet e biletave të miratuara nga FSHF janë më të larta se Maqedonia, Kosova, dhe Serbia, si vende me nivel të ardhurash për frymë të krahasueshme me Shqipërinë.

Gjithashtu, konkurrenca ka evidentuar se sponsorët kryesorë të FSHF janë të gjithë kompani të lidhura me interesa biznesi me presidentin e FSHF-së.

Autoriteti i Konkurrencës përmes vendimit të 14 maji 2020 do të urdhëronte FSHF-në të ndalojë abuzimin me pozitën dominuese dhe ka vendosur detyrimin që shitja e të drejtës televizive, si një e drejtë ekskluzive, të reduktohet në një periudhe jo më shumë se tre vjet, ku të drejtat të jenë të ndara dhe t’u shiten operatorëve të ndryshëm.

Konkurrenca detyron po ashtu FSHF, të ndajë prokurimin e dy kategorive “Kategorinë Superiore” dhe “Kupën e Shqipërisë”, me dallimin në  ofertë me paketën A (ndeshjet kryesore, të rëndësishme) dhe B (ndeshjet e tjera), në mënyrë që ato të mos i përkasin një operatori të vetëm, duke siguruar një pjesëmarrje sa më të madhe të operatorëve audiovizivë.

Ndër detyrimet e vendosura, është përfshirja e Ligës Profesioniste në vendimmarrje, që ka të bëjë me shitjen e përbashkët të së drejtës televizive, si dhe të drejtave të tjera që burojnë prej saj.

FSHF është urdhëruar gjithashtu nga Konkurrenca të ndjekë një procedurë transparente për shpërndarjen e fondeve të ardhura nga FIFA dhe UEFA, në prani të Ligës Profesioniste, në mënyrë që të ruhet konkurrenca e ndershme dhe efektive në treg.

FSHF-së i është vendosur detyrimi për zbatimin e një procedure transparente për zgjedhjen e sponsorit kryesor dhe sponsorëve të tjerë, duke mundësuar pjesëmarrje më të gjerë të ndërmarrjeve në treg.

Në mënyrë specifike, nga FSHF-ja kërkohet prej Konkurrencës, shmangia e çdo lloj lidhjeje të drejtpërdrejtë apo të tërthortë pasurore, midis sponsorizuesve të saj dhe shoqërisë Digitalb, lidhje të cilat ndikojnë në kufizimin apo shtrembërimin e konkurrencës, të krijuar për shkak të pozitës së saj dominuese.

FSHF detyrohet gjithashtu të hartojë një metodologji për përcaktimin e çmimeve të biletave, me qëllim orientimin e tyre drejt kostos.

Kjo metodologji, shpjegon Autoriteti i Konkurrnecës si edhe të gjitha kontratat e reja që japin të drejta ekskluzive, duhet të paraqiten për miratim pranë Autoritetit të Konkurrencës.

FSHF ka një afat prej katër muajsh për të zbatuar shumicën e detyrimeve. Në rast të mos përmbushjes së kushteve dhe detyrimeve të përcaktuara në vendim, FSHF do të ndëshkohet me gjobë deri në 5% të xhiros mesatare ditore për shkelje të rëndë të konkurrencës.

Gjyqi mes FSHF dhe Konkurrencës u zhvillua më 10 shtator.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë