Gjykata e Fierit ka liruar me kusht ish deputetin Mark Frroku. Ish deputeti kristiandemokrat po vuante dënimin për tre akuza fshehje pasurie, pastrim parash dhe ndërtim pa leje dhe i kishte mbetur rreth një vit nga përfundimi i dënimit.
Gjykata e Fierit mori vendimin e lirimit pas kërkesës së bërë nga avokati i Mark Frrokut dhe e la ish deputetin në shërbim prove. Mark Frroku ishte dënuar me 7.5 vite burg, por Gjykata e Apeli i uli dënimi në 6 vite. Mark Frroku akuzohej edhe për pjesëmarrje në vrasjen e një shqiptari në Belgjikë, por për këtë akuzë u shpall i pafajshëm nga gjykata.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Partisë Demokratike duke e cilësuar lirimin e Mark Frrokut si fundin e shtetit ligjor.
Në reagimin e PD thuhet se kryegjykatësi Edi Rama liroi mikun e tij Mark Frroku duke vepruar njësoj si me vëllain e tij, Arben Frrokun, vrasësin e kryekomisarit.
“Ka ardhur koha që njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, të cilët nuk duan të sundohen nga krimi, të marrin në dorë fatin e tyre. Ose qeveria mafioze e Edi Ramës, ose Shqipëria. Të dyja bashkë nuk mund të zgjasin më” mbylli reagimin e saj selia blu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.