Drejtësia

Gjykata e Lartë refuzon ankimimin e Alma Kaçit, lë në fuqi masën ‘arrest në shtëpi’

Gazeta Si - Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Alma Kaçit, e akuzuar se ka korruptuar nëpërmjet favoreve seksuale ish-kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjici për të fituar një projekt për rehabilitimin e qenve të rrugës.

Togat e zeza kanë lënë në fuqi masën e sigurimit “arrest në shtëpi” për Kaçin, e cila kishte kërkuar një masë më të lehtë sigurise me argumentin se ka një fëmijë të mitur dhe një nënë të sëmurë, për të cilat ka thënë se duhet të sigurojë të ardhura për të jetuar.

Pak ditë më parë, SPAK mbylli hetimet dhe çoi dosjen në gjyq me akuzën e "korrupsionit aktiv" për 40-vjeçaren, ndërsa akuza për ish-kryebashkiakun Safet Gjici ishte "korrupsion pasiv".

Sipas SPAK, në përfundim të hetimeve paraprake të këtij procedimi penal, janë përftuar prova dhe të dhëna, nga analizimi i të cilave ka rezultuar se e pandehura Alma Kaçi, është personi që i ka ofruar/dhënë përfitime të parregullta të pandehurit Safet Gjici, me detyrë Kryetar i Bashkisë Kukës dhe se ky i fundit pasi ka përfituar prej saj përfitimin e parregullt, në formën e favorit seksual, ka premtuar/pranuar ta ndihmojë me projektin e saj të mbrojtjes së qenve dhe ta paraqiste më tej në mbledhje të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Kukës. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë