Drejtësia

SPAK dërgon në gjyq Safet Gjicin dhe Alma Kaçin: Përfitoi favore seksuale për projektin e qenve

Gazeta Si - Prokuroria e Posaçme ka dërguar për gjykim ish-kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjicin, si dhe Alma Kaçin, duke e akuzuar ish-zyrtarin e lartë lokal për përfitimin e favoreve seksuale në këmbim të dhënies së një projekti për qentë e rrugës.

Në një njoftim për shtyp, SPAK njofton se në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Posaçme i është drejtuar me kërkesë Gjykatës së Posaçme për dërgimin në gjyq në ngarkim të të pandehurve, Safet Gjici dhe Alma Kaçi.

Në përfundim të hetimeve paraprake, SPAK thotë se janë përfituar prova dhe të dhëna nga analizimi i të cilave ka rezultuar se Alma Kaçi i ka ofruar dhe dhënë përfitime të parregullta ish-kryebashkiakut Safet Gjici kur ky i fundit ushtronte detyrën e kryetarit të Bashkisë Kukës.

SPAK thekson se janë përfituar prova se Safet Gjici ka përfituar prej Alma Kaçit përfitimin e parregullt në formën e favorit seksual dhe i ka premtuar dhe ka pranuar të ndihmojë Kaçin me projektin e saj të mbrojtjes së qenve dhe ta paraqiste më tej në mbledhje të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Kukës.

“Safet Gjici, me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale Kryetar i Bashkisë Kukës, i akuzuar për veprën penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, të parashikuara nga neni 260 i K. Penal, hetuar me masën e sigurisë “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale (ekzekutuar në datë 24.06.2023).

Alma Kaçi, e akuzuar për veprën penale të “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, të parashikuar nga neni 245 i K. Penal, hetuar me masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale (ekzekutuar në datë 24.06.2023)”, njofton SPAK.

Gjici shfaqej në disa pamje filmike të regjistruara në zyrën e tij nga shtetasja Alma Kaçi, duke kryer marrëdhënie seksuale, ndërsa kjo e fundit i kërkoi ta favorizonte në një projekt për rehabilitimin dhe strehimin e qenve.

Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici u arrestua në 24 qershor të këtij viti për korrupsion pasiv me urdhër të SPAK.

Ai e ka mohuar para gjykatës akuzën duke deklaruar se nuk ka nisur asnjë procedurë ligjore për tenderin që pretendohet.

Ndërsa ajo është paraqitur disa herë në dyert e gjykatës për të dhënë deklarime rreth çështjes, por nga ana tjetër i është refuzuar disa herë kërkesa për zbutje të masës së sigurisë, nga “arrest në shtëpi”, në “detyrim paraqitje”.

Kaçi është shprehur se e ka bërë vetë videon, pasi në takimin e parë që kishte bërë me të ai e kishte ngacmuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë