Gjykata e Katanias liroi në arrest shtëpie Nezar Seitin, i cili cilësohet si ‘financieri’ i grupit të Habilajve. Lajmi i lirimit konfirmohet nga avokati Detar Hysi.
Ai u arrestua në Babicë dhe mbahej në Burgun 313 në Tiranë. Nezar Seiti u ekstradua drejt Italisë më 25 janar të vitit 2018. Ekstradimi drejt Italisë është kërkuar nga vetë Seiti, pasi është shprehur se nuk beson te drejtësia shqiptare. Nga përgjimet e Prokurorisë së Katanias, rezulton se ai ka pasur rolin e financierit të grupit Habilaj dhe kujdesej për blerjen e gomoneve të shpejta, me të cilat pastaj grupi kryente transportin e kanabisit nga Shqipëria drejt Italisë. Gjithashtu, përgjimet konfirmuan edhe se Seiti bënte shpërndarjen e parave mes anëtarëve të bandës.
Ekstradimi i tij hapi një tjetër debat në politikën shqiptare se a duhet të ishte ekstraduar Nezar Seiti, për sa kohë që po hetohej edhe në Shqipëri.
Grupi kriminal ishte në përgjim që prej vitit 2013 dhe në dosjen e Prokurorisë së Katanias, gjatë përgjimeve të disa anëtarëve të grupit përmendej edhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Habilajt kanë përdorur emrin e ministrit si të përfshirë në trafikun e kanabisit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.