Lajme

Gjykata e Hagës fton edhe ish-kryeparlamentarin e Kosovës, Jakup Krasniqi

Pas kërkesës ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj, një tjetër zyrtar i lartë i Kosovës është thirrur nga Gjykata Speciale në Hagë. Bëhet fjalë për ish-kryeparlamentarin e Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili duhet të paraqitet pranë Gjykatës më 24 korrik.
Lajmi është i bërë i ditur nga vetë Krasniqi në rrjetin social “Facebook”, duke theksuar se pavarësisht se ka qenë kundër krijimit të kësaj gjykate me presione, do ta respektojë atë duke u paraqitur në Hagë.
“Pavarësisht bindjeve të mia që Gjykata Speciale e ngritur mbi bazën e raportit të Dick Martit, miratuar nga Këshilli i Evropës, i cili fund e krye është sajuar në Beograd me shpifje e gënjeshtra dhe me motiv e qëllim të komprometimit dhe inkriminimit të luftës së drejtë e të pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkundër qëndrimit tim të hapur kritik e kundërshtues për krijimin me presion të kësaj gjykate, unë do të prezantohem në hetuesinë e saj në datën e caktuar në cilëndo cilësi. Me besim në drejtësinë, i bindur se e vërteta është që gjatë luftës në Kosovë, Serbia ka kryer gjenocid, kurse konstruktet e saj monstruoze për UÇK-në do të bien poshtë, unë do të jem atje për të dhënë kontributin tim për ndriçimin e së vërtetës historike”, shkruan Krasniqi në “Facebook”.
Më tej, ish-kryeparlamentari shprehet se është fatkeqësi dhe ironi e llojit të vet, që në vend se Serbia të përballet me drejtësinë për krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidit, ne duhet të mbrohemi nga akuzat e saj të trilluara.
“Megjithatë është fatkeqësi dhe ironi e llojit të vet, që në vend se Serbia të përballet me drejtësinë për krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidit, ne duhet të mbrohemi nga akuzat e saj të trilluara, në vend që të gjykohen argumentet dhe provat e pamohueshme dhe të njohura botërisht, drejtësia merret me trille dhe shpifje të ulëta të politikës serbe dhe të shërbimeve të saj sekrete.
Nuk do të jetë hera e parë që dal para hetuesve për të dhënë përgjigje për çështje të sajuara nga pushteti i Serbisë. Ia kam dalë në proceset e hetuesisë jugosllave të viteve tetëdhjetë, siç ia kam dalë me përgjegjësi edhe kur jam ftuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi, për rastet e kurdisura në bazë të dosjeve të dorëzuara nga Serbia kundër Fatmir Limajt, Ramush Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tyre”, shprehet ndër të tjera ish-kryeparlamentari.

https://www.facebook.com/J.Krasniqi51/posts/2342214992561456?__xts__[0]=68.ARB_WK1A38aqJod--fnOOOoZvXc6wMjtRZ4zgpwnif7WWZraGm0W09-WHAgEHi1CL5CWvfwyC1c03bkkF28FMMfnuquVWwXYhrWDKfi1nsNfTuIHweGd7oY9w0k2Gb94JYM1BBL69h2PY3JYFaiFdoSDVNRKlXRWmBmqmAFLQfwRe1Z9GSfcsJvSScm4xzp3pCnulpIEw_GGUr08lYmbSP29qDZXJYibKLOI1dIHpmhC_NUTfNfM3z9D-HkpuemDSx1PS0AckdoS0ciyiYWTAc6y1PgK85SGpscln-R3XmwEd3f3vwCe2nJqsIG1BtabQOhtzhoL8W8vxz-VHC_EcCHzLA&__tn__=-R

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë